MENU
klinika

Analiza e BSH-së

“Kreditimi i ekonomisë u rimëkëmb nga lehtësimi i ofertës”

22.05.2020 - 12:00

Rritja e ulët e kredisë gjatë viteve të krizës është ndikuar më së shumti nga shtrëngim i ofertës. Një analizë e Bankës së Shqipëri tregon se pikërisht lehtësimi i ofertës ka qenë ndër faktorët përcaktues në përmirësimin e huadhënies gjatë vitit 2019. I zhveshur nga efekti i kursit të këmbimit, portofoli i kredisë për ekonominë vitin e kaluar u zgjerua me rreth 7%. Në fund të vitit 2019, kredia për sektorin privat vlerësohej në rreth 36.5% e PBB-së, ose 1.2 pikë përqindje më i lartë se një vit më parë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rimëkëmbja pasqyroi përmirësimet të ndjeshme në ofertën për kredi. Ndryshimet e pronësisë, hyrja e aktorëve të rinj dhe konsolidimi në sektorin bankar kanë ndihmuar në një qasje më pozitive të bankave për financimin e ekonomisë. Treguesit e përqendrimit të portofolit të kredisë bankare shfaqen në rënie për vitin e kaluar, duke konfirmuar rritjen e konkurrencës mes bankave.

Gjithashtu, ulja e ndikimit të politikave të shtrënguara të diktuara nga grupet mëmë të bankave europiane ka qenë një tjetër faktor i rëndësishëm në rritjen e ofertës për kredi. Ndryshimet në pronësinë e bankave të ndodhura në dy vitet e fundit tregojnë për një rritje të bankave me kapital vendas, dhe për pasojë, rënie të peshës në kreditim të bankave me kapital të huaj.

konica ekonomiakonica ekonomia mobile

Rreziku i kredisë ka ardhur në rënie, sikurse tregon raporti i kredive më probleme ndaj totalit, i cili ka shënuar 8.4% në fund të vitit 2019, nivelin më të ulët të dhjetë viteve të fundit. Rënia e këtij treguesi sinjalizon për uljen e probabilitetit të perceptuar të moskthimit të kredisë si dhe atë të humbjes potenciale të bankës, duke ndikuar në gatishmërinë e bankave për të marrë përsipër rrezik.

Nga ana e kërkesës, Banka e Shqipërisë vlerëson se rigjallërimi i kredisë është mbështetur sidomos nga përmirësimi i konsumit dhe i tregut të punës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervista/ Situata ekonomike dhe zgjidhjet

Civici: Të shtyhet një vit shlyerja e kësteve të kredive