MENU
klinika

Stavri Sinjari

Kur Adam Smith të flasë shqip

29.05.2020 - 20:14

U mbushën tre dekada që atëherë, kur filluam rrugëtimin tonë për një Shqipëri si Europa. Sistemi i mëparshëm, e humbi betejën historike me kapitalizmin vital e fitimprurës. Si mbarë kontinenti i vjetër, nisëm edhe ne rrugën e transformimeve të mëdha në ekonomi, shtet, demokraci, në sistemin juridik, kushtetues e në mentalitet.

Si një parullë mitingjesh, në dukje e thjeshtë dhe e lehtë, sot ka filluar si me dyshim përsëri të belbëzohet nën zë, e bëmë Shqipërinë si Europa, apo na duhet akoma kohë?!

Sigurisht, ndryshimet pozitive janë të shumta dhe nuk duhen mohuar.

Njëzëri mund të themi se jeta është më e mirë, më e pasur, jemi më të lirë, dyert kudo i kemi pothuaj të hapura, jetojmë më mirë se tridhjet vjet më parë… gjykimet, opinionet i kemi të ndryshme, për sigurinë, për demokracinë, për liderët politikë dhe partitë që ata drejtojnë, të cilat janë cilësi të natyrshme të vet sistemit.

E thënë më troç, tani shtrohet pyetja, a e kemi ndërtuar kapitalizmin shqiptar apo na duhet ende një periudhë tjetër loje shtesë tranzicioni?!

As bëhet fjalë që analizat tona mund t’i japin dot përgjigje shteruese, kësaj pyetje e rrjedhojave prej saj. Ka pasur të tjerë burra të mençëm bota, që u kanë dhënë drejtim me kohë këtyre problemeve, prej të cilëve shtetet perëndimore sot janë aty ku janë, model edhe për ne fillestarët.

Sikur të kishim një panel jurie me Adam Smithin në krye, do na kthjellohej më mirë koncepti për kapitalizmin, sistemin apo modelin. Po të kishim edhe Marksin në të njëjtën juri, do mund kuptonim jo vetëm të metat e atij sistemi që kaluam, por edhe të modelit aktual më të mirë.

Meqënëse juria duhet në numër tek, le të jetë I treti çdo individ që mund të bëjë një krahasimin mes nesh dhe vendeve si ne, që kanë bërë rrugën e këtij transformimi.

Adam Smithi, na tregon qelizën bazë të kapitalizmit, ekonominë e tregut të lirë, mekanizmin sipas të cilit, ekonomia bazohet në pronën private si parësore, që e zotërojnë individët, të cilët me vullnet të lirë, pa ndërhyrjet apo kufizime shtetërore, i investojnë paratë e tyre ose kapitalin, aty ku ata mendojnë se do fitojnë më shumë.

Ky zbulim i madh i A.Smithit, na orienton drejt vendosjes apo shpërndarjes së drejtë të pronës midis individëve; të një shteti “të dobët” në ndërhyrjet e lojës së tregut, por një arbitër i vërtetë dhe i fortë, në hartimin e zbatimin e ligjeve që drejtojnë këtë ekonomi. Prona konsiderohet e shenjtë, individi qëndron në qendër të vëmendjes, liria sigurohet me një demokraci përfaqësuese, me një qeveri tranzitore dhe me një sistem juridik të konsoliduar etj.

A i kemi këto “asete”këtu në kapitalizmin tonë shqiptar?

Pronën e shkatërruam me ndërhyrje e arnime të pafundme e të panevojshme ligjore; ish pronarëve ende nuk ua kemi dhënë atë që u takon; për treg të lirë të mirëfilltë s’bëhet fjalë nga disa faktorë si ndërhyrja e shtetit; varfëria ende është e spikatur, ka mungesë institucionesh si bursa; shumë pengesa burojnë nga pa aftësia dhe korrupsioni.

Edhe demokracia cungohet në thelbin e saj, me blerjet e votës në zgjedhjet, ndërsa partitë politike qëllim kryesor kanë luftën për pushtet se sa alternativat e zhvillimit.

Këta faktorë frenues tek ne kanë historinë e tyre, që kur janë shfaqur e deri sot, pengesa reale për konsolidimin e një tregu të lirë dhe konkurrues.

Vendi ynë nuk ka pasur ndonjë traditë kapitaliste dhe demokracie nga e kaluara. Erdhëm nga një vend gjysëm feudal, i prapambetur, kaluam në vend bujqësor me pak industri dhe në këto tre dekada kemi ecur kuturu, kemi shtuar shumë banesa, rrugë, pak industri të lehtë, por kemi bërë dhe shumë shkatërrime.

Le të kujtojmë entuziazmin tonë në vitet ’90 për të ndërtuar kapitalizmin dhe bollëkun brenda “një nate”. Me mentalitetin e përshtypjen se bota mezi na priste, ia hapëm ne kufijtë asaj me dyndje, duke boshatisur vendin. Falë vendeve europiane e sidomos fqinjëve, morrëm një shtytje të parë ekonomike, që na nxorri deri diku nga balta.

Injoranca jonë për kapitalizmin ishte e madhe por edhe joshja gjithashtu. E njihnim nga thëniet e atyre që kishin qenë jashtë vendit; nga produktet fine që vinin në pak duar nga jashtë, prej filmave të huaj në TV-të me grup UHF, etj.

Midis vrullit të paparë, valëve të spontaneitetit, lakmisë për pasurim të shpejtë, rrëmujës dhe në kufijtë e skamjes, nisi rruga jonë për ndërtimin e kapitalizmit bashkëkohor, pa ndonjë vizion të qartë, të rregulluar, të studiuar e të programuar. Hap pas hapi, u ngritën institucionet bazë të shtetit, që pagëzoheshin herë si “shtet i së drejtës”, dhe herë si “shtet social”.

U vazhdua më pas me “teoritë”, që na i servirnin politikanët e rinj, për tu hequr si kompetentë dhe për të treguar se kishin haber ata, për ndërtimin e ekonomisë së tregut.

Na sollën teorinë e “çekut të bardhë”, sipas së cilës, ndërmarjet shtetërore, bujqësia, plantacionet… madje edhe furrat e bukës nëpër fshatra, nuk vlejnë më për të ardhmen, duhet të prishen. Teknologjinë e re, moderne, do na e siguronte bota, me një çek të bardhë, sepse është i pa plotësuar, pa shifrat e parave të shënuara në të, sepse do na japin aq sa na duhen!

Me këto mendësi jo vetëm që u shkatërruan pasuritë e vendit por edhe u grabitën, duke pasuruar disa individë që dalëngadalë po krijonin klasën e biznesmenëve të ardhshëm.

Kryesisht nga politika u servir më pas edhe “terapia shok” (the shock doctrine), një teori e vjetër, e zbatuar pa sukses në disa vende. Gjoja do bëheshin ndryshimet brenda një kohe rekord. Sipas kësaj teorie, deri diku anarkiste, njerëzit do zgjoheshin një mëngjes dhe do shihnin gjithçka të ndryshuar psh. çmimet do jenë liberalizuar; bankat do jenë privatizuar. Pra të gjitha ndryshimet që kërkon sistemi sikur do bëheshin menjëherë, sigurisht me shumë dhimbje, por njerëzit do e kalonin shpejt dhe do mësoheshin.

Nuk u zbatua por, u bënë shumë ligje të shpejtuara, sidomos për pronat, për rolin e shtetit dhe organeve të tij, liberalizime në shumë drejtime të menaxhimit të ekonomisë, gjë që favorizoi korrupsionin dhe një pjesë të drejtuesve të administrates, të cilët u pasuruan shpejt, me tendera, kredi, privatizime pasurish shtetërore, duke i rreshtuar edhe këta në kapitalistët e ardhshëm.

Me siguri që Smithi do ta rishikonte teorinë e tij të kapitalizmit po të njihej me përvojën tonë, nëse ne guxojmë ta quajmë të saktë dhe çdo gjë të rregullt, ç’është bërë deri sot. Por, me siguri që gabimet tona ose më saktë të klasës politike që i bëri këto, jo vetëm Smithi por edhe Marksi, nuk do t’i linin pa i dhënë një dru të shëndoshë.

Marksin pretendojmë se e njohim, e kemi lexuar dhe duket sikur nuk ka lidhje me këto probleme. Në fakt, më tepër e vlerëson sot kapitali sepse edhe Marksi i bëri një analizë perfekte kapitalizmit, rreth një shekull më vonë nga Smithi. Vepra e tij “Kapitali” mbeti best seller në libraritë perëndimore, se prej tij kapitalistët mësuan si të menaxhojnë më mirë investimin, si ta shoqërizojnë dhe shpërndajnë më mirë produktin; u vlejti për reformimin e sistemit kapitalist klasik në një shoqëri civile më demokratike dhe më të dobishme për njerëzit e punës. Duke e pasuruar kapitalizmin industrial me humanizmin, me shtimin e të drejtave të punonjësve, me rritjen e konsumit për shumicën e popullsisë… kapitalizmi ia doli ta fitojë garën me socializmin e vjetëruar, bazuar në principe të ngurta utopike mbi barazinë e begatinë.

Marksi, në ndryshim nga Smithi, e analizoi kapitalin në këndvështrimin e kundërt. Ai doli me konkluzionin se kapitalizmi nuk mund t’i zgjidhë brenda vehtes kontradiktat që lind, ato do zhduken në një sistem tjetër, bazuar në pronën e përbashkët, por që vet koha e shkatërroi.

Mbi këtë tezë u bënë shumë abuzime, shtesa, interpretime, që kanë vend për njohjen e saktë të figurës dhe veprës së tij. Madje, po të ishte gjallë Marksi- është thënë, as ai nuk do e pranonte atë model socializmi që përjetoi gjysma e botës për gjysmëshekulli!

Për kapitalizmin tonë, me siguri Marksi do bashkohej me Smithin, e do na ngelnin në klasë. Ndoshta do na kritikonin për mos vlerësimin e bujqësisë, që e lamë pas dore; prishjen e shpejtë dhe transormimin e fermave dhe kooperativave në bashkësi private; besoj se do na kritikonin për akumulimin fillestar të kapitalit; për polarizimin e shpejtë të shoqërisë në shumë të pasur dhe shumë të varfër; për shtetin, zgjedhjet, edhe për demokracinë.

Marksi e njihte më mirë kapitalizmin se sa çdo teoricien e politikan tjetër. Krizat, si ajo e “Depresionit të Madh” në vitet ’30, dhe e fundit në 2008, vërtetuan këtë gjë dhe u theksuan nga masat e rekomanduara nga Kejnsi[1] për rrugëdaljen nga kriza.

Tek ne nuk bëhet fjalë për vend tipik kapitalist, por sigurisht që do e ndjejmë peshën e krizave. Si hallkë të ekonomisë globale, tek ne ndikojnë faktorë pozitiv si numri i vogël i popullsisë, përmasat e ekonomisë, prurjet cash nga emigrantët, ndihmat dhe ambjentimi me varfërinë.

Megjithatë, çdo sistem që të ketë jetë të gjatë, duhet të gjenerojë gjithmonë mirëqënie, jetë më të mirë për njerzit, siguri dhe të ardhme, të cilat, përsëri mbeten të paplota, me defekte dhe deficitare, në varësi të modelit të kapitalizmit të sotëm, që duhet reformuar. Sot, prej analistëve të mëdhenj, jepen hapur mangësitë, të cilat sipas Habermas[2] – duhen përmirësuar!

Diskutohet si më efikas modeli Suedez, me karakteristikë kryesore, shtetin social.

Pandemia e Covid-19 tregoi edhe një dobësi tjetër të modelit aktual të kapitalizmit, pamundësinë që të merret seriozisht me shëndetin e jetën e njerëzve në mënyrë globale.

Në Shqipëri, borgjezia e re e formuar gjatë tranzicionit do vazhdojë “t’i vuajë” disa kërkesa që po vijnë nga reformat, si forcimi i sistemit juridik e gjyqësor; kontrolli dhe justifikimi i pasurisë; rritja e të drejtave të punonjësve; forcimi i demokracisë, thellimi i luftës kundër korrupsionit.

Por, një pjesë e borgjezisë së re, e pasuruar dhe vetquajtur “boss”, do kenë edhe një problem tjetër, atë të konvertimit të tyre në njerëz të kulturuar dhe të respektuar. Kur një aplikant shkoi tek një kompani për punësim, i tha “boss”-I, në komision:- “…ouu dike disa gjuhë të huaja, dhe shtoi me mburrje, – ja, unë që s’di asnjë, edhe…”?

Këtij rasti i përshtatet bukur komedia “Borgjezi fisnik”. Borgjezët e parë që u pasuruan kishin problem adaptimin në shoqërinë e lartë, se ishin gdhë. Një i tillë, që të bëhesh shpejt i kulturuar, pajtoi një mësues. E pyet mësuesi, ç’donte të mësonte, shkencat e natyrës si fizikë, matematikë…muzikë,… jo, jo përgjigjej borgjezi, janë të vështira, diçka më të lehtë. Atëhere, letërsi, i ofroi mësuesi, që të dish të lexosh, të shkruash… poezi, prozë. Çdo të thotë poezi? -pyeti përsëri ai. …por prap jo, ishte e vështirë poezia; po proza?- e pyeti. Mësuesi i tha shkurt se proza është… si kjo që po flet tani por… Këtë më thuaj- e ndërpreu i ngazëllyer borgjezi, pse s’thua ti që unë paskam bërë gjithë jetën prozë dhe se paskam ditur këtë gjë!

Duhet akoma kohë që Adam Smithi të flasë shqip!

Stavri  Sinjari

(Java e parë jashtë karantinës)

[1] John Maynard Keynes economist UK (1883-1946)

[2] Jürgen Habermas filozof dhe sociolog gjerman (Dl 1929)