MENU
klinika

Presidenti sqaron

La Liga ka një arsye të fortë për 12 qershorin

19.05.2020 - 12:55

La Liga ka përpiluar 10 kalendarë të ndryshëm për të përfunduar sezonin në fushën e lojës që nga koha e shpërthimit të pandemisë globale të Covid-19. Natyrisht, në koordinim me UEFA-n, federatën spanjolle dhe autoritetet përgjegjëse shtetëtore e shëndetësore.

Shumë plane tashmë kanë rënë poshtë, ndërsa data 12 qershor është fiksuar si data e rinisjes së futbollit spanjoll. Po pse pikërisht kjo datë? Javier Tebas, presidenti i La Liga-s, e lidh këtë vetëm me një fakt: Përfitimin nga e drejta televizive. Çdo datë tjetër pas kësaj mund të kalonte në procese gjyqësore nga kompanitë e transmetimit që kanë të drejtën tv.

Në fakt, sipas dekretit të Spanjës, data 12 qershor është ende brenda gjendjes emergjente të vendit, që përfundon më 20 qershor. Natyrisht, La Liga mund të rifillonte edhe në këtë datë ose 26 qeshor, por Tebas thekson se 75% e klubeve varen fort nga përfitimet e së drejtës televizive.

Kompanitë e transmetimit, nëse kalohet 15 qershori, u lind e drejta mos të japin të gjithë të ardhurat dhe humbjet do të ishin katastrofike për një pjesë të klubeve të vogla, deri në krizë dhe falimentim, duke parë se ndeshjet do të luhen pa spektatorë. Humbjet e La Liga-s në rast se nuk mbyllet sezoni në fushë shkojnë deri në 1 miliard euro, ndërsa nëse fillon me 12 qershor, humbjet zbresin në 350 milionë euro.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN