MENU
klinika

Pas sulmit të të dhënave

Merkel: Ne duam marrëdhënie të mira me rusët, por ata…

13.05.2020 - 15:25

Kancelarja gjermane, Angela Merkel shprehu zhgënjimin me Rusinë,  lidhur me hakimin, duke thënë se ajo kishte prova konkrete të përpjekjeve të “egra” të spiunimit.

“Unë sinqerisht mund të them që më dhemb. Çdo ditë përpiqem të krijoj një marrëdhënie më të mirë me Rusinë dhe nga ana tjetër ka prova kaq të forta që forcat ruse po e bëjnë këtë,” i tha ajo parlamentit.

Mediat gjermane raportuan se mes informacioneve të kopjuara nga hakerat në 2015 ishin të dhënat nga llogaria e postës elektronike të Merkel. Ai sulm shënjestroi edhe Bundestagun. Merkel tha se hetuesit për hakimin e vitit 2015 kishin identifikuar një të dyshuar specifik.

“Fatkeqësisht përfundimi që kam arritur është se kjo nuk është gjë e re,” tha ajo, duke theksuar se këto ishin të gjitha pjesë e “strategjisë së Rusisë”.

“Natyrisht kjo nuk e bën më të lehtë” një marrëdhënie më të mirë me Moskën, tha ajo, duke i quajtur taktikat e tilla të spiunimit “më shumë sesa të pakëndshme”.

Posta elektronike e kancelares gjermane Angela Merkel duket se ishte marrë përsipër nga një haker rus në vitin 2015.

Gazeta gjermane Der Spiegel shkruan se kompjuterët në zyrën e Merkel në Bundestag janë sulmuar në internet dhe janë kopjuar postat elektronike.

Hakeri Dimitri Sergeyevich Badin, i cili përdor emrin kodues “Scaramouche”, raportohet se sulmoi sistemin kompjuterik të Bundestag dhe kopjoi 16 gigabajt dokumente nga zyra e Merkel.

Korrespodencat midis 2012 dhe 2015 u regjistruan në e-mailet e sekuestruara. Hakeri 30-vjeçar rus ka sulmuar edhe institucione të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara dhe ndodhet në listën e personave të kërkuar nga Byroja Federale e Hetimit (FBI).

Burimi: New York Times/ The local Germany/ konica.al