MENU
klinika

Metoda "horror"

Metoda e tmerrshme që përdorej dikur për dobësim

31.05.2020 - 06:38

Çdokush që sot ka dëshirë të dobësohet mund të ndjekë palestrën ose t’i nënshtrohet një rregjimi ushqimor nëpërmjet dietologëve. Prandaj, po të kesh dëshirën dhe vullnetin, sot dobësimi nuk është i pamundur, ndonëse, duhet pranuar, është shumë më e thjeshtë të shtosh disa kilogramë se sa t’i heqësh ato.

Ama nuk ka qenë gjithnjë kaq e lehtë të dobësoshesh. Para shumë kohësh (jo aq shumë në fakt) deri aty nga fillimi i shekullit të XX përdorej një metodë tepër “horror” për dobësim. Kjo metodë, e përmendur në librin “Letra një shkrimtari të ri” me autor Mario Vargas Llosa, ishte e tillë:

Disa zonja të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të shqetësuara për mbipeshën dhe të vendosura për të rikthyer siluetat e mëparshme elegante, gëlltitnin një tenjë. Ato zonja ishin heroina, martire të bukurisë.

Më pas, shkrimtari i mirënjohur tregon një rast kur një miku i tij, jo për dobësim por gabimisht, kishte gëlltitur një tenjë:

Në fillim të viteve gjashtëdhjetë, në Paris, një mikut tim të ngushtë, Jose Maria-s, piktor dhe kineast i ri spanjoll, i hyri në bark një krijesë e tillë. Me t’u futur në organizëm, kjo krijesë fillon e bëhet njësh me të, ushqehet prej tij, rritet dhe jeton në kurriz të tij. Të shkulësh një tenjë të tillë nga trupi ku gjallon dhe që, në të vërtetë, e bën të vetën, është shumë e vështirë.

Jose Maria sa vinte e dobësohet ndonëse vazhdimisht e detyronin të hante e të pinte (veçanërisht qumësht) për të qetësuar të gërryerit që i shkaktonte krijesa e strehuar brenda tij, sepse po të mos e bënte këtë, vuajtjet do të ishin të padurueshme.

Prandaj, nga sot, të gjithë ju që thoni se dieta është e vështirë, imagjinoni sikur të kishit jetuar në atë kohë dhe do të kuptoni se sa pak po vuani!