MENU
klinika

"Ejani të presim tulla e t’i pjekim në zjarr"

Në Bazel të Zvicrës u ndërtua Kulla e Babelit!

30.05.2020 - 14:47

Mbarë toka kishte vetëm një gjuhë dhe fjalët e njëjta. Kur u çuan prej lindjes, gjetën një fushë në dheun e Senaarit dhe aty ngulën banimin. I thanë njëri – tjetrit: “Ejani të presim tulla e t’i pjekim në zjarr.

Tullat u përdorën në vend të gurëve dhe bitumin në vend të llaçit. Dhe thanë: “Ejani të ngrehim për vete një qytet dhe pirg, maja e të cilit do të prekë qiellin. T’ia rrisim vetes zërin që të mos shpërndahemi faqes së dheut”.

Zoti zbriti përmbi tokë për të parë qytetin dhe pirgun që ndërtuan njerëzit. Zoti tha: “Njëmend qenkan popull dhe paskan vetëm një gjuhë! Ky është fillimi i veprimtarisë së tyre dhe tash e tutje nuk do ta kenë të vështirë të kryejnë gjithçka synojnë. Ejani, pra, të zbresim e t’ua pështjellojmë këtu gjuhën e tyre, që të mos mund të merren vesh me njëri – tjetrin.”

Prej andej Zoti i shpërndau nga ai vend mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe ata pushuan së ndërtuari qytetin. Prandaj quhet edhe Babel, sepse aty u pështjellua gjuha e mbarë tokës dhe prej andej Zoti i shpërndau mbi faqen e dheut.

                                                    Zan 11, 1-9

Kjo është pjesa në Bibël që flet për ndërtimin e Kullës së Babelit dhe se si Zoti, për të mos lejuar ndërtimin e saj, u pështjelloi gjuhët njerëzve e kështu ato nuk do ishin në gjendje të merreshin vesh ndërmjet tyre.

Pak ditë më parë, nga 28 dhjetori i vitit të shkuar deri në ditën e parë të vitit të tanishëm, në Bazel të Zvicrës u organizua për të katërdhjetin vit radazhi pelegrinazhi i Taizé-së. Më shumë se 30 mijë të rinj nga mbarë bota u mblodhën dhe i kërkuan Zotit të njëjtën gjë: Gëzimin!

Kështu, këto të rinj, mes të cilëve kishte edhe shqiptarë, me gjuhët e tyre krijuan gjuhën e përbashkët të lutjes, falë së cilës u ndërtua Kulla e Babelit e cila i ndihmoi ata të arrinin aty ku më parë nuk ishte e mundur.