MENU
klinika

Albert Doja

Nuk kemi mësuar ende të lexojmë! Pse të ngatërrojmë faktet për Skënderbeun?

31.05.2020 - 06:28

Kohët e fundit, fare rastësisht, po kuturis edhe unë në ca shtigje të historisë duke u përpjekur të ndriçoj sadopak nga perspektiva antropologjike një tematikë të caktuar mbi marrëdhëniet historike të shqiptarëve me fqinjët, tek marr vesh për historinë e Paskal Milos me Skënderbeun dhe Shqiptarët.

Befas kjo më kujton një histori rinore kur aty rreth vitit 1985 sapo kisha filluar të punoj si studiues në Akademinë e Shkencave. Në atë kohë na ishte shpërndarë për diskutim në Institut punimi me të cilin do të gradohej, le të themi një nga shokët, për të mos ia zënë goje emrin. Përpara diskutimit në Departament (apo sektor siç i thoshim asokohe), Drejtori i Institutit na thërret veçmas, mua dhe një tjetër nga kolegët rinj të talentuar të asaj kohe, miku im Roi Misha. Çuditërisht, Drejtori na udhëzon të dyve ta shikojmë me kujdes atë punim dhe të mundohemi të jemi konstruktivë sepse shoku në fjalë kishte punuar shumë, shumë, shumë, se mbas kaq kohe dhe pune të mundimshme ai duhej të gradohej, sepse sido që të vinte puna ai nuk mund ta shkruante punimin e vet më mirë se kaq. Them çuditërisht sepse Drejtori ynë i atëhershëm (Alfred Uçi me që ra fjala) mbahej për njeri i prerë, rigoroz, që punonte dhe kërkonte shumë nga vetja dhe nga të tjerët, që dinte të vlerësonte me hak gjithësecilin. Ai shquhej edhe si një personalitet me autoritet të jashtëzakonshëm të cilit as nuk mund të mendohej t’i kthehej fjala nga askush e aq më pak nga ne të rinjtë. Ndërsa unë guxoj dhe ia kthej me një naivitet rinor por që nuk më hiqet nga mendja as sot: «Profesor, problemi nuk është se shoku nuk di të shkruajë, problemi është se shoku nuk di të lexojë!» Profesori në fillim ngrysi vetullat, pastaj buzëqeshi, si për të më thënë «qerrata», duke më lënë të kuptoj se s’kishte ç’të bënte. Shkurt, shoku që nuk dinte të lexonte u gradua shkencëtar.

Për t’i mësuar të lexojnë, studentëve të mij u shpjegoj shpesh se identiteti kulturor e kombëtar nuk është domosdoshmërisht i bazuar në të dhëna të qenësishme kulturore apo historike të këtij apo atij populli. Të dhënat historike apo kulturore kanë rëndësinë e tyre dhe duhen studiuar si të tilla me shumë rigorozitet. Por identiteti kulturor e kombëtar është një çështje tjetër, e cila është më shumë një çështje e politikës identitare sesa çështje e të shkruarit të historisë. Për t’u shpjeguar kuptimin e këtij dallimi, një herë u kam shtruar studentëve një pyetje, disi me pak ndrojtje sepse më dukej si pyetje provokative. Për shëmbull, çfarë lidhje të qenësishme mund të ketë midis tre ngjyrave blu-bardh-e-kuq dhe identitetit republikan francez?

Jam i sigurtë se studentët e mij tani do ta kuptonin shumë mirë se këto lloj historish mbi Skënderbeun nuk kanë implikime historike apo shkencore, por implikime të qarta të politikës identitare, pikërisht për të zhbërë identitetin kulturor e kombëtar shqiptar. Por me sa duket, kur bëjmë shkencë historike apo albanologjike, këto lloj historish tregojnë se nuk dimë apo nuk kemi mësuar akoma të lexojmë. Prandaj edhe ngatërrojmë faktet e qëna apo të paqëna për Skënderbeun si personalitet historik me implikimet e politikës identitare lidhur me Skënderbeun si element përbërës i identitetit kulturor e kombëtar të Shqiptarëve.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit