MENU
klinika

Reforma zgjedhore

Opozita ‘hedh’ në tryezë 3 propozimet e saj që do largojnë korrupsionin politik

26.05.2020 - 10:38

Opozita ka shkuar në tryezën e reformës zgjedhore me propozime konkrete që synojnë të largojnë partitë nga korrupsioni politik, t’i emancipojnë ato me pjesëmarrjen reale të grave dhe vajzave dhe të rrisin pjesëmarrjen në proces, duke i vendosur zgjedhjet në një periudhë të përshtatshme.

Më konkretisht:
1. Financimi i partive
Opozita propozon një ligj që ul në minimum financimin privat të partive dhe eliminon korrupsionin
Ligji i propozuar nga opozita forcon rregullat e transparencës, verifikimit të financimit dhe sanksionet. Një ndër propozimet e opozitës është edhe përjashtimi i privatëve që financojnë partitë politike nga tenderat, koncesionet dhe kontratat publike. Në këtë mënyrë eleminohet mundësia e favorizimit të tyre të paligjshëm.
Opozita propozon që financimi nga privati të jetë sa gjysma e financimit nga shteti. Aktualisht, partitë lejohen të shpenzojnë sa 10 herë shuma e financimit publik. Psh. Kur ajo merr nga buxheti 30 milionë lekë, financimi privat do të jetë 15 milionë lekë dhe jo 300 milionë, siç është aktialisht. Ligji shton mekanizmat shtetërorë e kontrollit të shpenzimeve në fushatë, me qëllim eleminimin e përdorimit të parave të pista në zgjedhje. Propozimi është në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare.

kolana e librave

2. Kuota gjinore
Në mënyrë që të zbatohet realisht përfaqësimi në lista të jo më pak se 30% gra dhe 1 ndër 3 emrat e parë të listës të jetë grua, opozita propozon që partitë apo koalicionet të kenë aq kandidatë sa numri i mandateve në qark. Asnje kandidat më shumë të mos pranohet. Aktualisht, lista e pakufizuar dhe vendosja e grave në fund të listës e bën joefektive kuotën 30%. Sanksioni për shkeljen e kuotës gjinore nuk është më gjoba, por refuzimi i regjistrimit të listës për qarkun përkatës.

3. Periudha zgjedhore
Opozita kërkon shkurtimin e periudhës zgjedhore në të dy sezonet e parashikuar aktualë. Nga 3 muaj kërkohet që të bëhet 1 muaj. Opozita propozon që zgjedhjet të mos zhvillohen në periudha që ndikojnë në sezonin turistik, por t’u jepet qytetarëve çdo mundësi për të ushtruar të drejtën e votës. Periudhat e zgjedhjeve të propozuara nga opozita janë 15 Prill-15 Maj dhe 15 Tetor – 15 Nëntor.