MENU
klinika

"Dekreti i Thaçit të shpallet antikushtetues"

Osmani del kundër LDK-së

13.05.2020 - 08:48

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh nënkryetare e LDK-së, Vjosa Osmani në argumentet e dërguara Gjykatës Kushtetuese në lidhje me dekretin e presidentit Hashim Thaçi që i ka dhënë Avdullah Hotit mandatin për formimin e qeverisë së re, ka kërkuar që gjykata të shpallë dekretin e presidentit në kundërshtim me Kushtetutën.

Osmani ka thënë se përmes këtij dekreti, Thaçi ka tejkaluar kompetencat e veta duke ndërhyrë në kompetenca të institucioneve të tjera.

“Kërkoj me respekt nga kjo Gjykatë e nderuar që të shpallë një Aktgjykim, përmes të cilit konstaton se Dekreti i Presidentit Nr. 24/2020 është në kundërshtim me Kushtetutën sepse nëpërmjet këtij Dekreti, Presidenti i vendit ka tejkaluar kompetencat e veta duke ndërhyrë në kompetencat e institucioneve të tjera dhe rrjedhimisht duke rënë në kundërshtim me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve”, thuhet në dokumentin me të cilin Osmani i është drejtuar Kushtetueses.

Osmani thekson se presidenti ka tejkaluar kompetencat kushtetuese, duke mos e respektuar parimin bazë të sistemit demokratik, pra ndarjen e pushteteve.

“Presidenti i Republikës së Kosovës ka tejkaluar kompetencat e veta kushtetuese, duke u thirrur në garantimin e funksionimit të institucioneve. Në fakt, përmes veprimeve të tij, Presidenti i vendit nuk ka respektuar parimin bazë të secilit sistem demokratik, parim i cili është i mishëruar edhe në sistemin juridik të Republikës së Kosovës: ndarjen e pushteteve”.