Administrata tatimore ka nisur një fushatë telefonatash kundrejt bizneseve që janë të kualifikuara si përfituese të pagës prej 40 mijë lekësh të vënë në dispozicion nga qeveria në kuadër të COVID-19.
Duke telefonuar çdo drejtues subjekti, në bazë të niptit, tatimet janë në proces verifikimi se cili prej tyre e ka marrë pagën e luftës, kush nuk ka aplikuar apo cilat kanë qenë problematikat që kanë hasur. Sipas vendimit të fundit të qeverisë, çdo subjekt që nuk aplikon për këtë pagesë për punonjësit e tij, do të gjobitet në masën 50 mijë lekë.
Aplikimet për pagën prej 40 mijë lekësh u hapën më 21 prill dhe pas kësaj faze, pritet të ketë një fazë tjetër për trajtimin e ankesave të atyre që janë refuzuar. Nga kjo paketë përfitojnë subjektet me të ardhura vjetore mbi 14 milionë lekë, që kanë mbyllur aktivitetet me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë; ish-punësuarit në subjektet që janë lejuar të kryejnë aktivitetet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të këtyre urdhrave deri në datën 10 prill 2020; të punësuarit në subjektet me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, që janë lejuar të kryejnë aktivitete dhe kanë qenë në punë deri në datën e hyrjes në fuqi të urdhrave të ministrit të Shëndetësisë.
Përfitues do të jenë edhe punonjësit e subjekteve, persona fizikë ose juridikë, që ushtrojnë aktivitetin si struktura akomoduese, të cilët figurojnë në listëpagesa deri në datën e urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Qeveria ka parashikuar që në total përfitues të jenë 176 mijë punonjës, dhe efektet financiare llogariten në 7 miliardë lekë. Kjo është paketa e dytë financiare për të lehtësuar dëmet ndaj bizneseve, të shkaktuara nga COVID-19, ndërsa në paketën e parë u mbështetën 60 mijë punonjës, kryesisht subjektet e mbyllura, me një pagesë minimale prej 26 mijë lekësh për 3 muaj.