Rikualifikimi urban i qytetit të Belshit i dha një hov turizmit dhe numri i vizitorëve ishte çdo vit në rritje. Por pandemia e koronavirusit e ndali dhe po e dëmton rëndë zhvillimin e sektorit. Mungesa e turistëve ka bërë që bujtinat në fshatin Seferan të mbesin bosh edhe pse përgatitjet për t’i mirëprituar ata pas lejimit të pandemisë vijojnë.
“Kemi anuluar shumë. Kanë dashur të vijnë këtu të vijnë të flejnë me javë familje të tëra. Por ne i anuluam sepse kishim frikë. Çdo gjë që bllokohet nuk lëviz kuptohet sepse nuk sjell gjëra pozitive. Jemi përpjekur por vështirësi ka, në përgjithësi edhe ne si sipërmarrës dhe punonjësit.”
“Humbja” e turistëve po ashtu ka ndikuar edhe tek të ardhurat vendore.
“Duke e krahasuar me vitin e kaluar, këtë periudhë lulëzonte turizimi, ishte e dyndyr me turistë, për periudhën mars-prill-maj, ku ne priteëm rreth 10 mijë vizitorë. Situata e sivjetshme është një situatë e pazakontë por me hapjen graduale të bizneseve, Belshi do t’i rikthehet turizmit, mbase jo me vizitorë të huaj, por nga vizitorët vendas do jetë i frekuentuar.”
Belshi ofron bukuri të pashoqe natyrore sidomos përsa i përket resurseve ujore, ku në të gjithë bashkinë numërohen rreth 85 liqene. Jo vetëm natyra, por edhe kulinaria e zonës është një ndër arsyet për të vizituar këtë vend.