MENU
klinika

Stadiumi mbushet me fëmijë

Pensionistët beratas shijojnë lirinë

03.05.2020 - 10:54

Dita e sotme me diell ka qënë mjaft favorizuese për pensionistët e fëmijët që kanë shijuar liridaljen e tyre. Prej 3-javësh fundjava në qytetin e Beratit ka qënë e mbushur me gjallëri dhe rrugët kanë gumëzhirë nga zërat e të qeshurat e fëmijëve. Edhe sot, askush nga kategoritë e lejuara për të lëvizur nuk ka preferuar të qëndrojë në shtëpi.

Që herët në mëngjes, pensionistët kanë vërshuar në parqet e lulishtet e qytetit. Ata e kanë shijuar mjaft ditën e sotme, duke shijuar rrezet e diellit dhe duke shfrytëzuar për të pushuar e për të marrë ajër kryesisht ambjentet e gjelbëruara të qytetit, edhe pse duket qartë që pjesa më e madhe e tyre nuk kanë respektuar distancën dhe masat mbrojtëse.

Pas largimit të pensionistëve drejt banesave të tyre, rrugët, parqet e lulishtet gumëzhinë nga zërat dhe të qeshurat e fëmijëve. Atmosfera e krijuar sot në Berat, me fëmijë të qeshur e rrugë plot gjallëri, ta heq për një moment vëmendjen nga gjendja pandemike që po kalon prej 2-muajsh vendi ynë.

Bulevardi kryesor, pedonalja dhe parqet e qytetit u mbipopulluan me fëmijë, të cilët të shoqëruar nga nënat e tyre janë argëtuar pa fund. Gëzimi i fëmijëve edhe sot ka qënë i papërshkrueshëm.

Ata i shihje teksa luajtur të gëzuar dhe të pashqetësuar nga askush në çdo cep të qytetit. Për të tretën javë radhazi, pensionistët dhe fëmijët kanë shijuar ajrin e pastër në çdo rrugë e park të qytetit, në pritje të përfundimit të kësaj situate pandemie. Teksa luajnë të shkujdesur dhe të gëzuar, ata japin edhe këshilla për bashkëmoshatarët e tyre.