Një banesë është përfshirë nga flakët në orën 4:30 të mëngjesit të kësaj të diele në fshatin Kuqar të bashkisë Patos.
Për pasojë është djegur depoja ku mbahesin sende pune shtëpiake dhe një makinë.
“Sot rreth orës 04:30, në fshatin Kuqar, Patos, pranë banesës së shtetasit I. Rr., ka rënë zjarr dhe është djegur depoja ku mbante sende pune shtëpiake dhe makina e tij” , thuhet në njoftimin e policisë.
Mësohet se banesa ishte e shtetasit Irfan Rrapaj dhe jetonte me bashkëshorten e tij. Kunata e tij Mjaftime Rrapaj ka thënë se ishin në gjumë në momentin që ra zjarri dhe se kanë dalë nga banesa në momentin kur shpërtheu makina. Dëmet janë të konsiderueshme.
“Bëri zhurmë makina që plasi. Fëmijët Irfani i ka në kurbet. Ishim në banesë në gjumë. Kur pamë flakët dolë. Nuk jap dot shpjegim si ka ndodhur zjarri”, tha ajo.
E pyetur nëse një i afërm i tyre mund të kishte gisht në lidhje me ngjarjen ajo u shpreh se nuk e besonte një gjë të tillë.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje dhe shkakun e rënies së zjarrit.