MENU
klinika

"Kemi prova se virusi u krijua në laborator"

“Po kërkojnë të na shtypin”, Kina reagon pas akuzave të Pompeos

04.05.2020 - 18:08

Transmetuesi shtetëror i Kinës i kritikoi ashpër komentet e sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në lidhje me origjinën e koronavirusit, duke i cilësuar ato si “të çmendura”.

CCTV tha përmes një raporti se pretendimi i Pompeos se koronavirusi ka dalë nga një laborator në qytetin e Kinës, Vuhan, “është një gënjeshtër e plotë”. Transmetuesi kinez tha se politikanët amerikanë “po nxitojnë të zhvendosin fajin” dhe “të shtypin Kinën, në kohën kur përpjekjet e tyre kundër epidemisë janë rrëmujë”.

Komentet vijnë një ditë pasi Pompeo tha se “ka sasi të konsiderueshme të provave” se koronavirusi ka dalë nga një laborator i Vuhanit, edhe pse nuk dha më shumë detaje. Pompeo e ka thënë këtë edhe më herët, edhe pse një teori e tillë është hedhur poshtë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe disa ekspertë shkencorë.

“Të mos harrojmë se Kina ka një historik të përhapjes së infektimeve në botë; një historik të operimit të laboratoreve jashtë standardeve. Nuk është hera e parë që bota ekspozohet ndaj viruseve, si rezultat i dështumeve në një laborator kinez. Shërbimet e zbulimit vazhdojnë punën dhe duhet të vazhdojnë për të vërtetuar cfarë ndodhi. Por mund t’ju them se ka prova të konsiderueshme se virusi e ka origjinën në një laborator në Wuhan,” tha Pompeo.

Shefi i diplomacisë amerikane tha se ekziston “një masë e madhe bindjeje” se virusi e ka origjinën në një laborator që po studionte praninë e tij tek lakuriqët e natës.Pompeo tha se nuk kishte arsye për të vënë në dyshim konsensusin e agjencive amerikane të zbulimit se virusi nuk është “krijuar apo modifikuar nga njeriu në laborator”. Por ai fajësoi Kinën se ishte vonuar në informimin e botës për këtë kërcënim nga COVID-19. Ai tha se numri i viktimave nuk do të ishte kaq i lartë nëse Kina “do të ishte përpjekur te fshihte dhe ngatërronte botën. Kina përdori edhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë si vegël për të njëjtin qëllim”.

“Mund të konfirmojmë se Partia Komuniste e Kinës bëri të pamundurën për të garantuar që bota nuk do të mësonte në kohë se cfarë po ndodhte. Ka plot prova për këtë,” tha zoti Pompeo.

Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur ta akuzojnë njëra-tjetrën për përhapje të dezinformatave në lidhje me origjinën e koronavirusit qysh në muajin mars, kur një zyrtar kinez ka thënë se ushtria amerikane “mund ta ketë sjellë virusin në Kinë”.

Rastet e para me koronavirus janë shfaqur në Vuhan të Kinës në fund të vitit të kaluar dhe, që atëherë, janë përhapur në mbi 180 vende të botës.

COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi, ka prekur mbi 3.5 milionë njerëz në botë dhe ka vrarë mbi 248,000.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Paralajmërimi i fortë i sekretarit të shtetit amerikan

Pompeo: Autorët e Covid-19 do të mbajnë përgjegjësi, Kina nuk…

Një postim në Twitter tensionoi sërish marrëdhëniet

SHBA, “luftë” me Kinën edhe në kohë koronavirusi…