MENU
klinika

Familja akuzon bashkinë e Beratit

Po luante, 5-vjeçarin e zë korenti dhe ndërron jetë

22.05.2020 - 13:11

Një 5-vjeçar nga Berati ka gjetur vdekjen mëngjesin e sotëm në parkun e qytetit. Ai ka qene duke luajtur në tunelin me drita, pjesë e dekorit të bashkisë për festat e fundvitit, kur ka rënë në kontakt me rrymën elektrike të disa telave të zhveshur të tunelit.

Pasi ka rënë në tokë duke u dridhur kalimtarët kanë menduar se vuante nga ndonjë sëmundje dhe kanë njoftuar menjëherë ambulancën. 5-vjeçari ka mbërritur në spital me shenja jete të dobëta por mjekët, me gjithë përpjekjet e bëra, nuk kanë mundur dot ta shpëtojnë.

Pas dërgimit të kufomës së fëmijës në morgun e Spitalit Rajonal Berat, kanë mbërritur edhe familjarët e tij, të cilët punojnë në tregje, ku shesin rroba të përdorura. Gjyshi i djalit dhe të gjithë familjarët e fëmijës, të tronditur nga gjithçka ndodhi kërkojnë të vihet përpara drejtësisë përgjegjësi i kësaj ngjarje tragjike. Gjyshi i djalit bën përgjegjëse bashkinë e qytetit që nuk kontrollon telat e korrentit në zbukurimet e vendosura në park ku luajnë fëmijët.

Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie që po bëjnë këqyrjen e vendngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të saj si dhe vënien përpara përgjegjësisë të personit përgjegjës që duhet të kontrollonte edhe kabllot elektrik të tunelit me drita.

Edhe pse ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orën 09:00 të mëngjesit të sotëm, ende nuk ka asnjë informacion zyrtar, qoftë edhe paraprak nga zëdhënësja për shtyp e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.