MENU
klinika

“Aty je përsëri, pranë skenës dhe luleve…”

Poezia e Robert Shvarcit kushtuar aktorit Prokop Mima

21.05.2020 - 17:59

        “Një bredh në oborrin e Teatrit Kombëtar” (rekuiem për Prokop Mimën), shkruar nga përkthyesi i njohur, Robert Shvarc, “Mjeshtër i Madh”, një nga njohësit më të mirë të gjuhës gjermane në Shqipëri, i cili u nda nga jeta më 25 prill të vitit 2003. Vargjet i kushtohen aktorit të madh të skenës dhe kinematografisë shqiptare, Prokop Mima, “Artist i Merituar”. Poezia u dha për botim nga autori dhe u publikua në “Gazeta Shqiptare” më 2 qershor të vitit 2000, me rastin e botimit të një shkrimi-dossier, për gjigantin e skenës shqiptare.


Nga Robert Shvarc

Një bredh në oborrin e Teatrit Kombëtar

(rekuiem për Prokop Mimën)

Tërë jetën tënde,

tërë jetën tënde sa të gjatë

e aq të shkurtër, kunat,

mbete një bredh, diku në të acartin veri,

një bredh i fortë,

i drejtë si qiri,

duke ëndërruar një tjetër fat –

ndoshta atë palmën e vendeve të nxehta,

ndoshta atë qiellin mesdhetar,

atë diellin tonë, atë diellin tënd

nën të cilin nuk donin

të na linin vend!…

Dhe tani, që nuk je më,

tani që të vdiqën para kohe

dhe dërrasat e skenës tënde aq të dashur

t’i kthyen në dërrasa qivuri –

tani një shpirt fisnik

të shkuli nga harrimi

e nga mosmirënjohja

e nga cmira

e nga dhunimi

dhe të përjetësoi sërishmi

në një bredh,

sipas ritit të shenjtë të romakëve të lashtë

dhe të hebrenjve të sotëm!

Aty je përsëri, kunat,

pranë skenës tënde,

pranë fjalës tënde të kristaltë

të gjuhës sonë burrërore,

pranë luleve të tua që ishin

e jotja e madhja dashuri, pranë jetës tënde,

mes shokëve të tu!

Aty je përsëri,

i thjeshtë e pa babëzi

titujsh e kurorash –

dhe do të bëhesh

një bredh shtatlartë i drejtë,

siç ishe në jetë.

Memorie.al