Kur Muhameti u bë Zoti i pakundërshtueshëm, u tregua tepër bujar me armiqtë e vjetër, duke fituar kështu të gjitha zemrat. Për më tepër, shpeshherë tregohej dashamirës dhe shfaqte mënyra sjelljeje të buta; mirësia e tij bënte që të terratiseshin brënda çastit mosbesimet më të mëdha.
I donte fëmijët dhe kafshët dhe i trajtonte skllevërit me shpirtgjerësi. Një skllav që i kishte shërbyer gjatë tetëmbëdhjetë vjetëve tregonte: “Kurrë s’më tha një fjalë të ashpër dhe zotëria më shërbeu po kaq shpesh, sa unë i shërbeja atij”.
Komunitetet çifute dhe të krishtere që i paguanin taksa, gëzonin liri të plotë të kultit të tyre dhe ndodheshin nën mbrojtjen e tij në rast sulmi. Ishte e ndaluar të dëboje peshkopët dhe murgjërit.
Për më tepër, Profeti, tregohej i gatshëm për të ndihmuar të krishterët, sesa çifutët. Por ai ishte para së gjithash armiku i betuar i të gjithë atyre që këmbëngulnin në adhurimin e idhujve.
Ai u shpallte atyre luftë deri në çastin kur ata do të pranonin se nuk ka Zot tjetër veç Allahut. Në fund të jetës, pjesa më e madhe e fiseve arabe i ishin nënshtruar atij. Ato i paguanin taksë, në përgjithësi në formën e një të dhjetës të vlerës dhe ishin të detyruara të ndihmonin për fushatat e tij ushtarake.
Tashmë pjesa më e madhe e Jemenit, që në fillim u përkiste persëve, njihte ligjin e tij. Nuk ishte e vështirë të shkëpusje vendin e perandorisë së largët perse, e cila ishte në një rrokapjekthi fatale.
Krahinat e ndryshme arabe, që më përpara nuk kishin qënë kurrë të njëjtësuara, formuan menjëherë një etnitet kombëtar. Të gjitha fiset i bindeshin fjalës së një njeriu të vetëm.
Kur Profeti ndërmori pelegrinimin e fundit për në Qabe, ndiqej nga një turmë shumë e madhe. Asnjë themelues tjetër feje nuk ka mundur të shikojë me sytë e tij, rezultate kaq të hatashme të predikimit të tij.
Pas disa kohësh. Muhameti ra i sëmurë rëndë dhe vdiq në vitin 632. Aisha e veja tetëmbëdhjetë vjeçare, mbijetoi edhe dyzet e shtatë vjet akoma, duke u adhuruar si nëna e të gjithë besimtarëve.