MENU
klinika

Arrestohet inxhinieri, procedohet administratori i firmës

Punëtori i ndërtimit rrëzohet nga pallati dhe ndërron jetë

21.05.2020 - 14:38

Një punëtor ndërtimi humbi jetën të mërkurën pasi ra nga lartësia e një pallati në ndërtim ku po punonte. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “3 Dëshmorët” në kryeqytet, ndërsa viktima është identifikuar si A. K., 35 vjeç.

Për ngjarjen, Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë inxhinierin e një firme ndërtimi, ndërsa ka proceduar penalisht administratorin e firmës nënkontraktore.

Të dy akuzohen se kanë shkelur rregullat e mbrojtjes në punë.

“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, i shtetasit R. P., inxhinieri i firmës ndërtuese (personi përgjegjës për sigurinë e punëtorëve në punë), pasi ditën e djeshme, në rrugën “3 Dëshmorët”, në një pallat në ndërtim, ka rënë nga lartësia punëtori shtetasi A. K., 35 vjeç, i cili ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital. Në vijim të veprimeve u procedua penalisht shtetasi E. K., administratori i firmës nënkontraktore” njoftoi policia.

Sakaq policia ka arrestuar edhe një 38-vjeçar për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje.

“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, i shtetasit E. H., 38 vjeç, pasi në rrugën “Hysni Xhura”, ka goditur me grushte në fytyrë shtetasin S. D., për motive të dobëta”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Mos më nxirrni, jeta ime s’ka më vlerë”!

Shkoi te prindërit për të qenë më e sigurt, vdiq me vajzën e nënën