Brenda dy vitesh kulla e dëmtuar në kalanë e Durrësit do të kthehet siç ishte më parë. Tashmë ka nisur restaurimi me fondet e Suedisë, ndërsa në fazën e dytë projekti do të realizohet me mbështetjen e SHBA.
Kulla C e kalasë së Durrësit e rrëzuar nga tërmeti i 26 nëntorit do të ngrihet sërish! 6 muaj pas dëmtimit, kanë nisur ndërhyrjet restauruese. Aktualisht puna është në fazën e parë e një procesi që pritet të jetë i gjatë por edhe i vështirë.
”Ne po bëjmë spostimin e materialeve, do pastrohet hapësira dhe do përgatitet projekti i saktë i ndërhyrjes”, tha inxhinieri zbatues.
Ndërhyrja e parë dhe konsolidimi i monumentit janë financuar nga qeveria suedeze.
Faza e tretë që është edhe më e kushtueshmja mësohet se do të mbështetet Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë akorduar 800 mijë Dollarë për restuarimin e monumenteve të dëmtuara në Durrës, Preze e Krujë.
Kalaja e Durrësit vlerësohet të jetë ndërtuar në shekujt 5 dhe 6 të erës sonë nga perandori bizantin Anastasi, me origjinë nga ky qytet.
Ajo u shkatërrua dhe rindërtua pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 1273, duke u shndërruar në dëshmitare e historisë së Durrësit.