Këshilli Politik rikthehet në tryezën e Reformës Zgjedhore pas një ndërprerjeje dyjavore, për shkak të situatës së tensionuar politike që shkaktoi shembja e Teatrit Kombëtar mëngjesin e së dielës më 17 maj.
Katërshja politike ka vendosur për të tretën herë një afat për të mbyllur Reformën Zgjedhore. Afati i parë ishte më 15 mars, por pandemia botërore e koronavirusit e pamundësoi një gjë të tillë. Pas 2 muajsh ndërprerje, përfaqësuesit e Parlamentit, ata të opozitës së bashkuar iu rikthyen tryezës për të vendosur një afat të dytë, që ishte fundi i majit, por shumë shpejt u duk një afat ambicioz për shkak se situata e tensionuar që u krijua nga shembja e Teatrit e pamundësoi edhe këtë datë.
Ndërkohë, afati i tretë është caktuar në fund të qershorit. Vendimet e para Mbledhja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore pritet që nesër të shënojë mbledhjen e parë, ku pritet të miratohen disa çështje. Gazeta “Panorama” ka zbardhur axhendën e mbledhjes së nesërme, ku pritet që të diskutohet dhe të ketë një vendimmarrje politike për çështjen e periudhës zgjedhore, financimi i fushatës zgjedhore, respektimi i kuotës gjinore, teknologjia e informacionit dhe konkretisht, vendosjen e kamerave monitoruese në ambientet e votimit, roli i Policisë ne procesin zgjedhor, aktivizimi i bilbilfryrësve, klasifikimi i veprave penale në korrupsion zgjedhor dhe për pasojë, trajtimin e tyre nga SPAK-u.
Sipas burimeve, ekspertët teknikë nuk kanë ende një dakordësi sa i përket ndryshimit të periudhës zgjedhore. Propozimet përfshijnë muajin prill, si muaj zgjedhor, por festimi i Pashkëve sipas ekspertëve ul efikasitetin e fushatës. Megjithatë, nesër pritet që të ketë një dakordësi politike dhe të jetë kjo pika e parë, ku Këshilli Politik të arrijë dakordësi për çështjen e Reformës Zgjedhore. Financimi i fushatës zgjedhore është thuajse i dakordësuar mes ekspertëve teknikë. Çështja e vetme që ende nuk ka dakordësi mes palëve është ajo e reklamave në media.
Ndërkohë, për herë të parë në Kodin Zgjedhor pritet që të përfshihet aktivizimi i bilbilfryrësve, të cilët konsiderohen punonjësit e administratës që raportojnë për parregullsitë në procesin zgjedhor. Një tjetër pikë e rëndësishme, ku ekspertët e të gjitha palëve kanë gjetur dakordësinë dhe pritet t’u kalojë për miratim përfaqësuesve të Këshillit Politik nesër është klasifikimi i korrupsionit zgjedhor si vepër penale dhe për pasojë, trajtimin e tij nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.
PIKAT E NXEHTA
Ndonëse kanë kaluar 4 muaj që nga krijimi i mekanizmit të Këshillit Politik për një Reformë Zgjedhore konsensuale, palët janë ende larg një konsensusi për disa çështje. E tillë është çështja për depolitizimin e administratës zgjedhore, kërkesa për qeverinë kujdestare 3 muaj para zgjedhjeve, kërkesa për zëvendësimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë para zgjedhjeve, votimi elektronik dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor. Ndërkohë, mësohet se palët janë drejt një konsensusi sa i përket Kolegjit Zgjedhor.
Burime nga grupi i ekspertëve të Reformës Zgjedhore bënë me dije për gazetën “Panorama” se kanë gjetur një formulë të përkohshme për Kolegjin Zgjedhor, që do të zgjasë deri në funksionimin e plotë të Gjykatës Administrative të Apelit. Sa i përket depolitizimit, ekspertët kanë në tryezë dy drafte. Atë të ekspertëve të Komisionit Parlamentar dhe atë të opozitës së bashkuar. Propozimi i opozitës së bashkuar nuk prek Komisionin Qendror të zgjedhjeve.
Ndërkohë, përfaqësuesi politik i PS-së, Damian Gjiknuri, ka kërkuar nga opozita e bashkuar propozim edhe për KQZ-në. Ndërkohë ka debate mes palëve sa i përket propozimit të PD-së për ndryshimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë para zgjedhjeve.