Ekonomia e Eurozonës do të tkurret më pak se ç’tregojnë projeksionet pesimiste, por rimëkëmbja mund të jetë e ngadaltë dhe graduale, sipas një sondazhi të Bankës Qendrore Europiane. Sondazhi tremujor projekton një tkurrje ekonomike me 5.5% këtë vit, ndjekur nga një rritje me 4.3% në vitin 2021, duke marrë parasysh se masat e karantinës nisin të lehtësohen në muajin Maj dhe Qershor.
Presidentja e institucionit, Christine Lagarde, tha javën e kaluar se banka pret një tkurrje ekonomike me 5-12% këtë vit, ç’ka tregon se sondazhi i fundit është më shumë në linjë me skenarin më të butë të Bankës Qendrore Europiane.
“Përshkrimi më i përshtatshëm për profilin e projeksionit për totalin e PBB është një rënie e shpejtë në fund të tremujorit të parë dhe në nisje të të dytit, ndjekur nga një rimëkëmbje e graduale që do të kërkojë disa kohë përpara se ekonomia të rikthehet në nivelet e para-virusit”, përfundon sondazhi i institucionit në Frankfurt, i zhvilluar mes 31 Marsit dhe 7 Prillit. Inflacioni parashikohet tashmë në një mesatare prej 0.4% këtë vit, ndryshe nga pritshmëritë për 1.2% të tre muajve më parë.