MENU
klinika

Skenari ekstrem, 12 ekipe për titullin

Serie A mund të rifillojë edhe me “play-off”

19.05.2020 - 11:12

Federata Italiane e Futbollit po mendon si variant ekstrem mbylljen e kampionatit me një play-off të mirëfilltë, që do të bënte që avantazhi i skuadrave të kreut të zhdukej dhe në garë për titull të ishin më shumë se 10 ekipe. Një hipotezë e mundshme kjo nëse qeveria italiane nuk garanton fillimin në gjysmën e parë të qershorit.

Ka qenë vetë kreu i FIGC, Gravina, i cili ka pranuar së fundmi se po shqyrtohet edhe variant i play-off, i cili do të kishte shumë më pak ndeshje, por që do të revolucionarizonte gjithçka. Rregulloret ia lejojnë, pasi ekziston një nen që thotë se për situata të jashtëzakonshme, mund të ndryshohet edhe struktura e kampionatit.

Do të ishin 12 skuadra në play-off për titullin dhe 8 për rënien. Katër të parat sipas klasifikimit aktual (Juventus, Lazio, Inter dhe Atalanta) do të shkonin direkt në çerekfinale. Roma e vendit të 5 do të sfidonte Cagliari-n e vendit të 12, Napoli i vendit të 6 Sassuolon e vendit të 11, Milani do të vihej kundër Bologna-s dhe Verona kundër Parmës.

Fitueset e këtyre çifteve do të ndesheshin me katërshen e parë, po duke marrë për bazë renditjen, të gjitha në ndeshje teke. Një situatë e cila do të bënte secilën nga këto skuadra kandidate për titullin kampion e kualifikimin në Champions League, pasi edhe ndeshjet mund të zhvilloheshin në fushë asnjanëse nëse nuk ka garanci në rajonin përkatës.

Një ide që duket absurde në fillim, por me krizën financiare që ka mbërthyer klubet në Itali, askush nuk do të refuzonte një mundësi të tillë nëse do të vihej në peshore përballë mbylljes së kampionatit në tavolinë, pasi paratë e të drejtës TV do të evitonin falimentimin për disa prej klubeve të mësipërm.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ndalohen eventet sportive deri më 14 qershor

Digjet 13 qershori, Serie A rrezikon të mos rifillojë