Për dashamirësit e letërsisë shqipe, sot është një ditë e veçantë. Nëse vështrojmë historinë, shohim se me pesëmbëdhjetë janar është përvjetori i vdekjes së profesorit të shquar Ernest Koliqi. Prozator, dramaturg, poet e studiues i madh i letërsisë shqipe, Ernest Koliqi lindi në Shkodër me 20 Maj 1903, në një familje te njohur patriotike. Shkollën e filloi në vendlindje dhe e përfudnoi më 1921 në Bergamo dhe në Milano të Italisë, ku kreu studimet e mesme.
I përgatitur me njohuritë më të përparuara të kohës, u kthye menjëherë në Shqipëri ku, dy vjet me pas, së bashku me Atë Anton Harapin dhe Nush Topallin, themeloi gazetën “Ora e Maleve”. Por nuk reshti. Pasi bashkëpunoi suksesshëm me revistat më të rëndësishme të kohës, themeloi njërën ndër revistat më interesante të letërsisë shqipe “Shkëndija” të Tiranës.
Në vitin 1924 mori pjesë në shoqërinë patriotike “Bashkimi”, themeluar nga Avni Rustemi. Për t’i shpëtuar forcave zogiste, emigroi pesë vjet në Jugosllavi. U rikthye në Shqipëri më 1929 dhe filloi punën si mësues në Vlorë e në Shkodër. Më 1937 u diplomua në universitetin e Padovës me tezën “Epika popullore shqiptare”.
Më 1939 u emërua ministër i arsimit në Qeverinë Fashiste. Mblodhi në kabinetin e tij studiuesit dhe shkrimtarët më të spikatur, me të cilët zhvilloi një veprimtari mjaft të dendur. Më 1944 u largua në Itali, ku u emërua drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare, krijuar më 1957 nga vetë Koliqi, në vend të katedrës së gjuhës shqipe pranë Universitetit ‘La Sapienza’ të Romës. Pra nga viti 1939 qe profesor Ordinar i Gjuhës e letërsisë shqipe pikërisht pranë këtij Universiteti romak.
I nderuar nga e gjithë bashkësia shqiptare në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij, prof. Ernest Koliqi klasiku i fundit i brezit letrar të viteve ’30, mbylli sytë përgjithmonë, si sot, më 15 janar 1975, në shtëpinë e tij të thjeshtë, në Fiano Romano (afër Romës), i dënuar të rrinte larg Shqipërisë me akuzën si bashkëpunëtor i fashizmit.
U varros në Romë. Vdiq me dëshirën e zjarrtë, të paplotësuar, të kthehej rishtas në Shkodër, të dëgjonte prapë kambanat e Kishave, të shkelte përsëri në pragun e shtëpisë së moçme të Koliqëve në lagjen G’juhadol. Të gjitha këto dëshira i shprehu me frymëzim të jashtëzakonshëm në poezinë “Bijës sime”, botuar në ‘Shêjzat’, që tingëllon si Testament poetik.
Krahas ndihmesës së tij në fushën e publicistikës e të arsimit, prof. Ernest Koliqi njihet si prozator, poet, përkthyes, kritik, studiues i letërsisë. Revista “Shêjzat”, rreth së cilës mblodhi emrat më të shquar të diasporës, mbetet një monument i vërtetë i publicistikës shqipe.
E nisi krijimtarinë me vjersha, të cilat i botoi në gjuhën italiane, në të përjavshmen studenteske “Noi giovani” të Bergamos. Nga veprat e tij kujtojmë poemthin dramatik “Kushtrimi i Skanderbeut” me përmbajtje patriotike (1924); “Hija e Maleve” (1929) e “Tregtar flamujsh” (1935), novela kushtuar jetës në Shkodër. ”Symfonia e Shqypeve” (1936), që përkujton lavditë dhe fatkeqësitë e përjetuara nga Shqipëria e mes paqartësive të kohës Koliqi paralajmëronte një të ardhme të lumtur për Vendlindjen; “Gjurmat e Stinve” (1933), “Pasqyra e Narçizit” (1936). Me vlerë të madhe është edhe përkthimi i: “Poetët e mëdhej t’ Italis” I (1932) Dante, Petrarka, Ariosto, Tasso, Parini, Manzoni e tjerë. Më pas botoi “Kangjellat e Rilindjes” (1959) dhe romanin “Shija e bukës së brume” (1960), ku ndjehet fuqimisht malli i mërgimtarit për tokën e vet. “Epika popullore shqiptare” (1937), që ishte temë e doktoraturës së tij.
U nderua me medaljen e artë të Shoqërisë “Dante Aligheri”; “Yllin e artë për merita të shkollës”; ishte anëtar efektiv i Akademisë së Mesdheut”, Anëtar nderi i qendrës ndërkombëtare për studimet shqiptare në Palermo etj. Vjet më parë arbëreshët e Frashinetos, duke dashur të nderojnë kujtimin e Ernest Koliqit dhe të vënë në dukje kontributin e jashtëzakonshëm që dha në studimin e traditave arbëreshe, i vunë emrin e tij Shkollës së tyre të mesme shtetërore.
Vepra e tij, e ribotuar disa herë në Shqipëri dha jashtë saj, vijon të ndiqet me interesim të madh nga lexuesi. A mund t’i mohohet Prof. Ernest Koliqit të madh kryevendi që zë në letërsinë shqipe? Në përvjetorin e vdekjes, Ernest Koliqi riduket në kujtesën e atdheut të vet me atributet e shkrimtarit, themeluesit të tregimit modern shqiptar, poetit, romancierit, eseistit, përkthyesit, gazetarit, dramaturgut, mbledhësit dhe studiuesit të palodhur të folklorit, veprimtarit të shquar në fushën e politikës e të kulturës së shekullit XX brenda e jashtë Atdheut.
Do të duhej, prandaj, shumë hapësirë dhe kohë për të ndriçuar plotësisht figurën e tij vigane, pa harruar se është edhe vëllai i kardinalit të parë shqiptar, dom Mikel Koliqit.