Vitin e kaluem, “The Scarecrow Press” e ka ribotue “Fjalorin Historik të Republikës së Maqedonisë” me autor Dimitar Bechev. Për fat të keq, autori i ka përsëdytë të njejtat konstatime si “Enciklopedia” e Akademisë së Shkencave të Maqedonisë me 2009. Bechev vetëm u përkujdes që hyrja me qenë gjuhësisht e balancueme por me nënkuptime lojcake. Zani për shqiptarët e Maqedonisë nis kështu:
“Shqiptarët… e nxjerrin prejardhjen e vet tek fiset ilire që banonin pjesën më të madhe të shtetit të sotëm në kohën e pushtimit romak. Studiuesit shqiptarë kanë theksuar praninë e pakëputur të shqiptarëve në rajon, derisa kolegët e tyre bullgarë e maqedonë kanë dokumentuar shkulme migrimesh masive nga mesi i shekullit të 18-të e tutje. Këto lëvizje popullsish shpesh drejtoheshin me sulme të armatosura që kishin cak fshatarësinë sllave në krahina si Pollogu e Kërçova” (fq.7)
Edhe enciklopeditë që botoheshin në ish-Jugosllavi ftilloheshin me formulime në dukje paqësore ku mëtimeve rivale iu jepej nji përqindje fifty-fifty e vërtetësisë. Diskursi i tyne fillonte me formulime të tilla si: shqiptarët janë vijuesit e popullatave të hershme iliro-thrake, por në hapësinat e sotme janë rezultat i ekspansioneve të vonshme migrative (sic!).
Edhe autori i kësaj enciklopedie manipulon njisoj me fjalë por origjinën ilire e trivializon si pretendim të vetë shqiptarëve dhe jo si diçka të përftuem nga studimet historike e indoevropianistike.
Në anën tjetër, Bechev e favorizon mëtimin e studiuesve bullgarë e maqedonë për mbivendosjen relativisht të vonë të shqiptarëve në kurriz të popullatës sllavofone në viset e Pollogut, Treskës e Vardarit.
Prej viteve ’90, shqiptarëve iu kërkohet me ba nji lloj ekzorcizmi mbi narrativat historike. Në emën të shembjes së idhujve, panteonit të ri i trupëzohen narrativa që legjitimojnë interesime e rivendikime politike (nja prej tyne edhe krijimi i nji imazhi opulent për periudhën e pushtimit osman me nxitjen e Turkisë që ka kontroll masiv mbi Tiranën e Prishtinën).
E padurueshme për botime të tilla prestigjioze, si kjo Enciklopedia e Bechevit, âsht akomodimi aq i lehtë i mëtimeve të vjetra politike që iu jepet padrejtësisht statusi i të vërtetave të mirëqena.
Prania e shqiptarëve në rajonin përskaj Vardarit, fushën e Pollogut e atë të Pellagonisë deri në masivin e Jakupicës – e që mas 1945-ës u quejt Maqedoni – nuk shpjegohet me shprëngulje migrative.
Le të përqëndrohemi vetëm te shekujt ma kritikë ku bahen pretendimet kryesore:
i) Shek.14-të: prania sedentare e shqiptarëve provohet nga aktdhurimet e manastireve ortodokse. Dyer fisnike arbërore si Gropajt, Muzakajt fituan pushtet mbi qytete si Ohri e Kosturi
ii) Shek.15-të: Derisa në burime italiane Vardari konsiderohet si lum n’Shqipni (“fiume in Albania”), defterë osmanë si ata të viteve 1467-68 evidentojnë nji antroponimi solide arbërore në rajone si Reka, Demir Hisari, Manastiri, etj
iii) Shek. 16-të: Në vitin 1595, nji kryengritje antiosmane plas në Shkup e merr zjerm deri në Tetovë. Kryengritësit cilësohen shqiptarë!
iv) Shek. 17-të: Evlija Çelebiu në udhëpërshkrimet e tij ban shpesh paranteza të tilla si ajo kur mbërrin në Shtip “Gjuha e rajasë është serbe dhe bullgare. Shqipja nuk flitet këtu”. Pse e ban këtë vërejtje për shqipen? Sepse për dallim prej Shkupit e qyteteve të tjera në perëndim, në viset lindore nisej të zbehej elementi shqiptar…
Natyrisht nji shekull âsht teper i gjatë për me u kornizue kaq shkurt e me spikat veç përkatësi etnike. Historia âsht nji univers me aq shumë zhvillime sa nonsensi ma kolosal âsht kur iu jepet pasaporta e qytetarisë në komunitetin akademik mëtimeve për “kolonizim shqiptar”.