MENU
klinika

Në tregje dhe dyqanet e lagjeve

Si i harxhojnë paratë familjet shqiptare?

20.05.2020 - 13:18

Banka Botërore ka publikuar raportin më të fundit të programit të krahasimit ndërkombëtar të cilin e udhëheq vetë, e që shërben si një bazë gjigante të dhënash për të krahasuar ekonomitë e ndryshme të botës nga niveli i ekonomisë së tyre, shpenzimeve qeveritare dhe familjare apo çmimeve. Raporti i sapo publikuar përfshin të dhëna të vitit 2017, ndërkohë që për herë të fundit ishte publikuar 6 vite më parë.

Nga të dhënat e publikimit të fundit rezulton se konsumi final i familjeve shqiptare për të mira individuale dhe shërbime, duke përjashtuar kështu shpenzimet e tjera si fatura apo qira, fiksohet në rreth 24.6 miliardë dollarë në vit, sipas paritetit të fuqisë blerëse (PPP), pra të standardizuar me të gjitha vendet e botës për të eliminuar efektin e kursit të këmbimit. Për frymë, konsumi mesatar i një shqiptari në vit fiksohet në rreth 8500 dollarë të shprehura në PPP.

Në vitin 2011, konsumi final i familjeve ishte në 18.6 miliardë dollarë dhe në rreth 6400 dollarë për frymë, çka bën që rritja të jetë në masën 36% në terma absolutë dhe në 32% për frymë. Por si ndahet sipas raportit të Bankës Botërore ky shpenzim sipas njësive të biznesit?

Tregjet dhe dyqanet e vogla mbulojnë më pak se 2% të konsumit final, ose më saktë, 1.64% të totalit. Pjesa e “luanit” zihet nga dyqanet e specializuara me thuajse 46% të totalit si dhe nga dyqanet e mëdha me 34% të totalit. Vetëm 16.4% e totalit të shpenzimit final të familjeve ndërkohë kanalizohet në njësi sipërmarrëse të cilat ofrojnë shërbime.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN