Edhe pse në fillimet e pandemisë u duk se pati një politikë lehtësuese nga bankat për dhënien e kredisë, ajo është përgjysmuar krahasuar me marsin e një viti më parë. Në një rritje të lehtë janë vetë depozitat me 0.1%.
Fillimi i muajit mars, i cili përkoi me përhapjen e pandemisë COVID-19 paralizoi çdo aktivitet ekonomik, e pasqyruar kjo edhe në rënie e ndjeshme të kredisë së re.
Sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë huaja e re e dhënë ishte 6.4 miliardë lekë, duke shënuar kështu një përgjysmim të mesatares mujore të dhënë një vit më parë.
Edhe kreditimi në euro gjatë kësaj periudhe është përgjysmuar krahasuar me mesataren mujore të 2019-s. Monedha e përbashkët ka arritur nivelin më të ulët mujor që nga viti 2015, ku gjatë muajit mars janë dhënë vetëm 32 milionë euro kredi.
Pas përhapjes së koronavirusit Banka e Shqipërisë miratoi disa rregullore dhe nxori një udhëzim për qytetarët dhe bizneset, që mundësonin riskedulimin e kësteve të kredisë me subjektet kredimarrëse për të gjithë ata që do kishin pamundësi pagese.
Kjo solli një rritje të stokut të huasë me 3.2% ose 18 miliardë lekë përgjatë muajit mars krahasuar me muajin shkurt.
Stoku i kredisë në fund të muajit mars arriti 597 miliardë lekë , shumë kjo e cila është marrë hua nga bizneset dhe individët dhe rreth 49% e saj është në valutë.
Rritja e stokut të kredisë është ndikuar dhe nga forcimi i monedhës së përbashkët evropiane përgjatë muajit mars.
Megjithatë depozitat ndryshe nga kreditë nuk u ndikuan nga pandemia COVID-19.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë depozitat në lekë ruajtën tendencën rritëse edhe pse me një rritje të lehtë prej 0.1% përgjatë muajit mars në raport me shkurtin.
Nga të dhënat rezulton se individët dhe bizneset kanë rritur kursimet e tyre në lekë edhe pse me doza të moderuara.
Arritja e nivelit të valutës evropiane në 131 lekë nga 122-123 që ishte në dy muajt e parë të vitit kanë sjellë një rritje të ndjeshme në mars të depozitave në euro.
Totali i depozitave të raportuara ishte rreth 8.7 miliardë euro.