MENU
klinika

Masat e marra

Sot dita e madhe, rifillon Bundesliga gjermane

16.05.2020 - 10:09

Dita e sotme do të mbahet mend gjatë, pasi pas më shumë se dy muajsh pandemia dhe pa aktivitet sportiv në mbarë Europën, do të ketë ndeshje futbolli të vërtetë, ku në fushë do të zbresin ekipet e Bundesligës gjermane.

Por futbolli në Gjermani do të nisë me një protokoll shëndetësor, që kanë përcaktuar deri në detajet më të vogla sjelljen e 300 aktorëve që do të hyjnë në stadium.

Nuk do të pështyhet, pihet nga shishja e një shoku apo kolegu dhe të mos festohet duke u përqafuar, apo thjesht duke bashkuar shuplakat. Edhe gjatë zëvendësimit, lojtari që hyn dhe ai që del do përshëndeten në distancë. Të gjithë të tjerët po, përfshirë rezervat (që do të qëndrojnë ulur 1.5 metra në distancë nga njëri-tjetri) dhe trajneri.

Futbollistët janë këshilluar që të mbërrijnë në stadium me makinat e tyre personale dhe në çdo rast, klubet duhet të përdorin më shumë se një autobus për të shmangur mbipopullimin në bord. Hyrja në fushë do të bëhet e veçuar: fillimisht një skuadër, në rresht indian.

Nuk do të ketë shtrëngime duarsh, shkëmbime flamujsh, maskota. Topat do të dezinfektohen përpara dhe gjatë ndeshjes. Por kujdes duhet të tregojnë edhe aktorët e tjerë protagonistë jashtë fushe: kameramanët do të ndahen nga një barrierë pecikllasi dhe e njëjta gjë do të ndodhë edhe gjatë intervistave.

Do të lejohen 23 gazetarë televizivë dhe 10 të shtypit të shkruar. Në tribunë, delegacionet e skuadrave do të përbëhen nga vetëm 8 persona, ndërsa ato të miqve nga 4. Por do të lejohen edhe 8 pjesëtarë të stafeve teknike.

Në fushë, do të ketë 5 arbitra, 22 lojtarë, 18 rezerva, 20 mes trajnerëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, 4 djem që mbledhin topat, 3 persona të higjienës, 3 fotografë, 4 mjekë dhe 15 kameramanë. Kur të bjerë vërshëllima e parë sot për rifillimin e kampionatit gjerman, tifozët do të vënë re shumë pak ndryshime nga televizori. Por më poshtë janë 10 faktet më të rëndësishme që duhet t’i dini para se të uleni sot para TV për të ndjekur Bundesligën.

HIGJIENA – Të gjithë njerëzit që do të qëndrojnë në dhomat e zhveshjes duhet të jenë pajisur me maska dhe doreza. Distanca 1.5 metra është e detyrueshme. Përdorimi i ujit të jetë sa më i paktë. Veglat, çantat dhe sende të tjera duhet të jenë dezinfektuara para se të përdoren.

DYER TË HAPURA – Dyer të mbyllura? Kjo vlen vetëm për hyrjet e tifozëve. Në ambientet e brendshme të stadiumeve gjithçka tjetër do të jetë e hapur për të shmangur prekjen me duar nga lojtarët.

GRUMBULLIMET – Skuadra që del e para nga dhomat e zhveshjes duhet të zbresë e para në fushën e lojës. Ditët ku mund të takoje apo bëjë shaka me një koleg, kanë mbaruar. Askush nuk duhet të qëndrojë në tunel.

MASKOTAT DHE FËMIJËT – Nuk do të jenë të pranishëm fëmijë që do të shoqërojnë lojtarët në dalje të fushës, ashtu si dhe maskotat që shërbejnë për të ndezur turmën, pasi ajo nuk është e pranishme. Vetëm 300 persona lejohen të marrin pjesë në një ndeshje.

JO FOTO DHE SHTRËNGIM DUARSH – Fotografët nuk do të lejohen në fushë ashtu si dhe ceremonia para ndeshjes nuk do të zhvillohet. Skuadrat do të shkojnë menjëherë në gjysmëfushën e tyre e cila do të përcaktohet në dhomat e zhveshjes.

PANKINAT ME MASKA – Lojtarët që do të qëndrojnë në stolin e rezervave duhet të kenë sa më pak kontakt me njëri-tjetrin. Kështu ruajtja e distancës dhe mbrojtja e gojës dhe hundës është e detyrueshme.

TRIBUNAT SI PANKINA NË RAST EMERGJENCE – Nëse në pankinë nuk do të ketë vend mjaftueshëm për lojtarët, atëherë ata mund të ulen në tribunën sipër tyre, një pjesë e së cilës do të jetë e rezervuar vetëm për ta.

VETËM 10 GAZETARË – Nuk lejohen më shumë se 10 gazetarë të shtypit të shkruar në një ndeshje. Intervistat do të jenë të kufizuara.

TOPAT – Të gjithë topat e lojës duhet të dezinfektohen përpara ndeshjeve. Vetëm katër fëmijë do të jenë pas portave për të kapur topat. Këta të fundit duhet të jenë mbi 16 vjeç. Ata duhet të dezinfektojnë duart sa më shpesh gjatë ndeshjes pasi do të vihen në kontakt me topin e lojës.

USHQIMET – Të gjitha frutat, ushqimet apo pijet, do të merren me vete nga skuadrat. Nuk lejohet asnjë ushqim i jashtëm apo shërbim katering. Kush shkel rregullat, ndëshkohet, deri në përjashtim nga skuadra.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN