MENU
klinika

"Më shumë se 20 udhëtarë..."

Trafiku urban nis punën, jepen detaje për qytetarët

18.05.2020 - 12:12

Me lehtësimin e masave në fazën e dytë nga Qeveria e Kosovës, gjatë së hënës ka filluar edhe qarkullimi i autobusëve të trafikut urban me rregulla të posaçme kundrejt qytetarëve.

Kurse mbetet brengosës mosfillimi i punës së trafikut ndërurban, i cili vlerësohet se ka pasur humbje të mëdha pas dy muajve izolim.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, ka shpalosur rregullat që duhet ndjekur qytetarët që shfrytezojnë trafikun urban.

Nushi deklaroi se nga 20 udhëtarë të cilët mund të hyjnë në autobusë, duhet të jenë të pajisur me ID kartela, kurse për qytetarët tjerë do të jetë sipas numrit të parafundit të letërnjoftimit.

“Prej ditës së sotme kemi hyrë në fazën e dytë të lehtësimit të masave, e që nënkupton hapje më të madhe të bizneseve, gastronomisë, trafikut urban, ndërurban, stomatologjisë dhe bizneseve tjera. Trafiku urban ka filluar funksionimin me përkufizimeve”.

“Më shumë se 20 udhëtarë nuk mund të hipin, nuk mund të hipin pa maska, mund të hipin vetëm me ID kartelë të punës ku punojnë. Po ashtu edhe qytetarët që e kanë periudhën e lëvizjes prej dy orësh”, tha Nushi.

Nga sot është paraparë të fillojë punën edhe trafiku ndëruban, por që ende nuk ka asnjë informacion pse nuk është funksionalizuar ende.

Nushi tha se është shqetësuese për komunën, pasi, siç potencoi ai, Stacioni i Autobusëve nuk mund të funksionojë pa shërbime.

Ai njoftoi se Komuna ka ndarë 80 mijë euro për pagat e punëtorëve të Stacionit të Autobusëve, deri për muajin maj ende nuk është definuar ndonjë zgjidhje.

“Në anën tjetër e kemi trafikun ndërurban për të cilët kërkohet leje e veçantë, sipas ligjit për trafikun rrugor, sipas nenit 25, kush ka të drejtë të marrë leje të veçanta. Nuk ka asnjë informacion shtesë nga MEPTINIS se kush ka të drejtë të marrë leje të veçanta, përveç sipas nenit, i cili saktëson që ajo leje duhet të kërkohet nga operatori ekonomik”.

“Deri më tani isha në komunikim me stacionin e Autobusëve nuk ka asnjë lëvizje deri më tani. Është e çuditshme mosdhënia e ndonjë informacioni nga Ministria. Po presim sot e nesër të shikojmë se si do të vazhdojë puna me trafikun ndërurban. Prej 2 qershorit kur hyn në funksion faza e tretë e masave lehtësuese, kur bëhet hapja komplete me masat kundër pandemisë”.

“Është brengosëse për Komunën, Stacioni i Autobusëve është ndërmarrje publike që dy muaj nuk kanë asnjë shërbim. Muajin e kaluar ne i kemi subvencionuar me 80 mijë euro për t’i paguar pagat e punëtorëve, kurse sa i përket këtij muaji jemi në diskutime nëse mund të bëjmë zgjidhje”, u shpreh Nushi.

Po ashtu, sot ka filluar të rihapet edhe sektori i gastronomisë, për të cilin Nushi tha se secila kafene e ka për obligim të paraqesë se sa metra katrorë e ka lokalin dhe cili është numri maksimal i qytetarëve që mund të futet për të marrë shërbime.

“Pjesa e gastronomisë hyn në pjesën me një kufizim të madh, kanë të drejtë të shërbejnë qytetarët vetëm me produktet merre me vete. Qytetarët të respektojnë këto masa, edhe për biznese do të jetë e vështirë një funksionim i tillë. Por secili biznes ka për obligim para hyrjes në objektin e tyre të paraqesë se sa metra katrorë e ka lokalin dhe cili është numri maksimal i qytetarëve që mund të futet për të marrë shërbime”, shtoi ai.

Mes tjerash, nënkryetari i Komunës së Prishtinës ka folur edhe për gjendjen e të infektuarve në këtë komunë, për të cilën tha se është e menaxhueshme.

Derisa kërkoi nga qytetarët të respektojnë rekomandimet e IKShP-së, raporton EO.

“Deri më tani janë 81 persona të infektuar, prej tyre dy raste me fatalitet, 12 raste aktive dhe 67 raste të shëruara. Situata është e menaxhueshme në katër ditët e fundit kemi pasur vetëm dy raste të infektimit, një ka qenë një foshnjë e porsalindur në klinikën private ‘Sirona’ dhe rasti i mbrëmshëm nga kompania Trepharm”.

“Jemi në kontakt me të gjitha, nuk kemi të shtrirë në spital apo në klinikën infektive. Lutemi qytetarët që të respektojnë vendimet e IKSHP-së lidhur me mbajtjen e pajisjeve mbrojtëse, dorezave dhe maskave”, ka thënë Nushi për EO.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN