22.05.2020 - 08:31
Një tjetër pallat në Durrës, i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, do të shembet sot. Mësohet se IKMT do të prishë godinë 6 katëshe në orën 13:00 me shpërthim të kontrolluar. Po ashtu bëhet e ditur se pallati nr. 10/62 në lagjen 7 të qytetit bregdetar, kishte pësuar dëmtime të rënda në konstruksion nga lëkundjet e tërmetit.
IKMT ka sqaruar se për prishjen e objektit janë hapur në trupin e tij 350 furnella (vrima) dhe do të përdoret 8.5 kilogramë lëndë eksplozive c4.
Kujtojmë se në këtë pallat jetonin 38 familje, ndërkohë që banorët protestuan, pasi pretendonin se ishin njoftuar në mënyrë të beftë për prishjen.