MENU
klinika

Kaos në klubin shkodran

Vijon bojkoti, asnjë lojtar i Vllaznisë në stërvitje

22.05.2020 - 16:52

Vijon bojkoti i futbollistëve të Vllaznisë. Përplasjet në Bashkinë e Shkodrës kanë lënë pa rroga lojtarët, të cilët po futen në muajin e katërt që nuk po paguhen. Në kampin kuqeblu situata duket kaotike. Pas bojkotit të së enjtes, edhe sot lojtarët nuk kanë kryer seancën stërvitore të radhës, duke thelluar edhe më tej gjendjen në klubin shkodran.

Në fushën e stërvitjes në fshatin Golem janë paraqitur vetëm pjesëtarët e stafit teknik, pikërisht zv.trajneri Safet Osja dhe trajneri i portierëve, Ideal Lekiqi. Trajneri i parë Mirsad Jonuz ende ndodhet në karantinë pas ardhjes nga Maqedonia e Veriut. Osja dhe Lekiqi janë urdhëruar nga drejtuesit që të paraqiten në stërvitje dhe të shikojnë se kush nga lojtarët do të vijë e më pas të kryhej ndonjë seancë.

Mirëpo, ishte e kotë, pasi askush nga futbollistët nuk ka ardhur. Vendimi i lojtarëve për bojkot është unanim dhe tashmë pritet që klubi të marrë masa konkrete, ashtu siç ka paralajmëruar administratori Suad Lici, i cili po shikon planin B, të mbyllë kampionatin me futbollistë të Vllaznisë B, ndoshta edhe me të rinjtë.

Për shkak të mosmiratimit të pasqyrave financiare nga ana e Këshillit Bashkiak dhe dështimit disa herë të mbledhjes, ka mbetur peng likuidimi i lojtarëve dhe zyrtarëve të tjerë të klubit. Gjithashtu, prej pesë muajsh nuk kanë marrë rrogat as pjesëtarët e akademisë dhe punonjësit e fushës sportive “Reshit Rusi”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Administratori: Luajmë me ekipin B

Tre muaj pa paga, Vllaznia bojkoton stërvitjen