MENU
klinika

Nga Cambiaso, te Pirlo e Lewandowski

10 transferimet më të mira me parametër zero

07.06.2020 - 21:24

Merkato e vitit 2020 do të shohë shumë shkëmbime lojtarësh e sidomos një garë të ethshme për të gjetur okazionin me transferimet me parametër zero. Historia e futbollit ka treguar se ka raste kur këto transferime janë ato që bëjnë diferencën për një klub dhe ESPN ka bërë një listë me 10 transferimet pa shpenzime më të bujshme në histiorinë e futbollit:

1.Lewandowski te Bayern Munchen – Polaku vendosi të largohej nga Borussia Dortmund në vitin 2014 për t’iu bashkuar rivalëve historikë me parametër zero dhe që atëherë ka luajtur 280 ndeshje duke shënuar 235 gola, një nga arsyet kryesore pse Bayern në 6 vitet e fundit është shpallur gjithmonë kampion me të.

2.Pirlo te Juventus – Kur Van Bommel i mori vendin në formacionin e Milanit në vitin 2011 dhe kuqezinjtë i ofruan vetëm një vit tjetër rinovim, Pirlo vendosi t’u bashkohej bardhezinjve. Sipas Buffon, ajo ishte “blerja e shekullit”, pasi me bardhezinjtë siguroi 4 tituj kampion e 3 Kupa para se të largohej në 2015 drejt MLS.

3.Sol Campbell tek Arsenali – Ishte kapiteni i Tottenham dhe lider i skuadrës ku kaloi 12 sezone, por londinezët e lanë të shkonte tek Arsenali kur i mbaroi kontrata në vitin 2001. Ai ishte lideri i mbrojtjes i skuadrës që dominoi futbollin anglez nën drejtimin e Ëenger në fillimin e viteve 2000.

4.Luis Enrique te Barcelona – Në klubin katalanas e kujtojnë si një nga transferimet më të bujshme, pasi në 1996 iu bashkua kësaj skuade nga rivalët historikë të Real Madrid. Ai përjetoi atje shumë vite të suksesshme duke fituar tituj e Kupa me Barcelonën, ku u kthye edhe si trajner për të fituar gjithçka në vitin 2015.

5.Roberto Baggio te Bologna dhe Brescia – Për dy klube të tilla ishte e pamundur që të blenin kartonin e Baggios dhe ishin me fat që Milan në rastin e parë dhe Inter në të dytin lanë të lirë “Bishtalecin”. Ai nuk u paraqit asnjëherë në nivelet e tij me dy milanezet, por sa u largua prej tyre, shkëlqeu me dy klube më të vogla, duke shënuar gola e duke mahnitur tifozërinë.

6.McManaman te Real Madrid – Te Liverpool qëndroi 9 vite, por nuk e panë kurrë si emër të rëndësishëm, ndaj në vitin 1998 u largua në fund të kontratës drejt madrilenëve. Atje u kthye në një nga mesfushorët më të vlerësuar në Europë, duke fituar si në Spanjë, ashtu edhe në Europë, ku ngriti dy herë Champions.

7.Gullit te Chelsea – Nuk shkëlqeu ashtu siç pritej kur u tansferua në Angli, por ishte hapi i parë i transformimit të londinezëve që kishin humbur shkëlqimin e tyre. Për një periudhë ishte edhe lojtar-trajner i kësaj skuadre.

8.Larsson te Barcelona – Ishte një legjendë te Celtic, por kërkonte më shumë dhe ia arriti në dy sezonet te katalanasit. Tek i pari luajti shumë pak nga një dëmtim, por tek i dyti, në vitin 2006, tregoi vlerat e tij duke qenë vendimtar në finale e Ligës së Kampioneve.

9.Milner te Liverpool – Mesfushori anglez ishte një personazh i rëndësishëm te Manchester City, derisa iu mbyll kontrata në vitn 2015. Ai vendosi të bashkohej  me Liverpool, duke u vënë nën urdhërat e Jurgen Klop dhe që atëherë ishte një pjesë e rëndësishme e skuadrës që pak nga pak u kthye në superfuqi në Angli e Europë.

10.Cambiaso tek Inter dhe Leicester – Mesfushori argjentinas ishte nga të paktët që realizoi dy transferime falas radhazi në karrierë. Një ish-”galaktik” të Real, ai siguroi kalimin falas tek Inter në vitin 2004 duke e ndihmuar këtë ekip të fitonte titullin në Itali e sidomos “Tripletën”. Nga italianët më pas u largua si lojtar i lirë drejt Leicester, të cilin e ndihmoi që të mbijetonte vitin para se klubi anglez të fitonte titullin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Për nga efikasiteti dhe jo çmimi

15 transferimet më të mira të dekadës së fundit

Mendoni Hazard dhe Griezmann? Gaboheni...

Pesë transferimet më të mira të vitit 2019