MENU
klinika

Flet drejtori i Përgjithshëm i Infrastrukturës

A do të rritet çmimi i biletës? Detajet për rifillimin e transportit publik

08.06.2020 - 12:53

Drejtori i Përgjithshëm i Politikave dhe Zhvillimit në Fushën e Infrastrukturës dhe Territorit, në Ministrinë e Transporteve, Eltar Deda, ka deklaruar se përveç transportit urban, me 15 qershor do të hapen edhe lëvizjet ndërqytetëse dhe ato ndërkombëtare.

Në një intervistë për Euronews Albania, ai theksoi se pasagjerët dhe personeli e kanë të domosdoshme pajisjen me maska dhe doreza gjatë udhëtimit.

“Duke filluar data 15 qershor, ditë e hënë, i gjithë transporti rrugor, interurban, urban dhe ndërkombëtar do të jetë në dispozicion pas konsultimeve të kryera të protokolleve tona me Institutin e Shëndetit Publik. Kemi njoftuar të gjitha këto kompani, dhe është e gatshme që në 15 qershor ne të bëjmë të mundur që të kemi fillimin e këtij transporti me një kapacitet, i cili do të lejojë 70 % të kapaciteteve të tyre, ku është e detyrueshme çdo kompani që të ndjekin rregullat e higjienizimit, të gjithë pasagjerët e kanë të detyrueshme të pajisen me maska dhe në të njëjtën kohë edhe personeli do të jetë me maska dhe me doreza, por në të njëjtën kohë do të ketë edhe mjete të tjera të higjienizimit. Çdo ditë këto kompani do të kryejnë dezinfektimin dhje kjo do të monitorohen nga bashkitë”, tha Deda.

Ndërsa, për sa i përket çmimit të biletës, ai u shpreh se nuk do të ketë rritje.

“Duke parë krizën e madhe dhe goditjen që mori ky sektor, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe me përkujdesjen e ministres Belind Balluku, është ngritur një grup pune në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, kemi qenë në konsulta të menjëhershme në mënyrë që ne t’i japim një ndihmë këtij biznesi. Duke patur parasysh edhe kërkesat e shoqatave, ne kemi bërë të mundur disa skema dhe do të bëhen publike në mënyrë që kompanitë të marrin subvencionim nga ana e qeverisë. Nuk do të ketë rritje çmimesh”, shtoi Deda.

Transporti publik u paralizua në datë 10 mars, për shkak të përhapjes së koronavirusit. Për tre muaj transporti publik nuk ishte në gjendje funksionale.