MENU
klinika

Nga Korça te “dhurata e konteshës”

Bibliotekat më të vjetra dhe më të famshme shqiptare

10.06.2020 - 06:50

Nga Vepror Hasani

Duke përjashtuar ato të Venetikut në qytetet bregdetare shqiptare, dhe të Voskopojës që është djegur, jo pak të famshme kanë qenë edhe bibliotekat e vendosura në institucionet fetare në qytetet e tjerë të Shqipërisë.

Po si ka qenë administrimi dhe fondi pasuror i tyre nga Mesjeta deri në vitet ’30 të shekullit të kaluar?

Biblioteka e Korçës

Iljaz bej Mirahori, themeluesi i qytetit të Korçës, tregoi kujdes të veçantë jo vetëm për ngritjen e shkollës së parë për djem dhe vajza në Shqipëri, por edhe për ngritjen e një biblioteke pranë Xhamisë së Madhe të Korçës. Shkolla e parë në Shqipëri për vajza dhe djem u ndërtua në Korçë 500 vjet më parë. Në testamentin e Mirahorit thuhet: “ngriti e ndërtoi pastaj… një shkollë të bukur e të hijshme. Pastaj caktoi këtë si vakëf për gjithë ata djem dhe vajza myslimane që vazhdojnë të mësojnë këndimin e Kuranit e të studiojnë dituri të tjera”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi i pronave të Mirahorit në vakëfe).

Por, me qenë se për shkollën e vajzave dhe të djemve kemi shkruar më parë, nuk po zgjatemi më shumë. Po ndalemi te biblioteka e xhamisë së Korçës. Një bibliotekë të tillë Mirahori kishte ndërtuar edhe pranë xhamisë së Stambollit, të cilat quheshin xhild-hane: Tek vakëfnameja thuhet: “Edhe për shehun e dervishët e tij që banojnë në dhomat e quajtura xhildë-hane e që janë përballë xhamisë në fjalë, cakton 20 derhem për çdo ditë…”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi i pronave të Mirahorit në vakëfe).

Të njëjtën gjë bëri edhe në qytetin e Korçës. Sipas Mytevelinjve, pasardhës të Mirahorëve, xhild-hanet (bibliotekat) ishin, zakonisht, pjesë e xhamive, ku përveç librave të fesë, mbaheshin edhe librat më të mirë të kohës. Një bibliotekë të tillë e kishte edhe Xhamia e Madhe e Korçës, e cila u vinte në ndihmë edhe vajzave dhe djemve të shkollës. E njëjta gjë ndodhte edhe me xhamitë e tjera.

Edhe studiuesja Armanda Hysa del pothuajse në të njëjtin përfundim: “Në fakt medresetë, xhamitë dhe varrezat e xhamive kanë qenë pjesë integrale e të gjithë pazareve në Ballkan, por të dhëna gojore mbi organizimin e tyre na kanë ardhur vetëm për pazarin e Elbasanit. Prej kësaj mund të mendojmë se përafërsisht kështu ka qenë gjendja edhe në pazare të tjera, të paktën në qytetet shqiptare…”. (Armanda Hysa: “Pazaret e vjetra të qyteteve shqiptare në fund të shek XIX dhe fillim të shek XX”, f. 151).

Ndërsa kur flet për pazarin e Shkodrës nënvizon: “Në Pazar kishte një bibliotekë, një medrese dhe disa pika doganore”. (Armanda Hysa, “Pazaret e vjetra të qyteteve shqiptare në fund të shek XIX dhe fillim të shek XX”, f. 87).

Pra, xhamia, medreseja dhe biblioteka ndërtoheshin në të njëjtën kohë. Biblioteka e xhamisë së Korçës ndihmoi shumë për nxitjen e interesit ndaj librit.

Francezi August Dozon gjatë vizitës së tij në Korçë më 1874, ndër të tjera i shkruante qeverisë së tij: “Po bëhen përgatitje për të ngritur një tipografi ku do të bëhen botime të autorëve klasikë”, gjë që tregon se banorët e qytetit të Korçës kishin qenë prej shekujsh të miqësuar me librin.

Kjo është dhe arsyeja pse fill pas botimit të gazetës “Albania” të Faik Konicës, mjaft banorë të qytetit të Korçës u bënë abonentë të kësaj gazete: “Ky vit është i bekuar ndër gjithë të tjerët për kombin shqiptar. Fara që mbuallëm dy vjet më parë zuri të sjellë pemët e saj. Më të katër anët shohim fletore, bibla të reja, shoqëri kombiare që po krehen (dalin). …Albania hyn tani pothuajse lirshëm në Shqipëri. Në Korçë gjer në fund të gushtit Albania këndohej në kafenetë…” (Gazeta “Albania” 1898, nr 10, f. 153).

Ndërsa në një njoftim tjetër thuhet: I shkëlqyeri atdhetar, i vërteti miku ynë, sëpata e armikut zoti N. N. Naço na shkruajti një letër, nga e cila marrim lirinë të qitim këto fjalë: “Nuk mund të të rrëfenj sa u gëzuash kur mora “Albaninë e madhe”, se armiqtë plasnë kur ua rrëfeva. Por edhe aq më shumë kur pashë se disa tradhëtarëve ua nxore në shesh magjitë…” (Gazeta Albania 1898, nr 11, f. 28).

Duket që Korça nuk bënte dot pa librin dhe gazetën, edhe pse pengohej nga shumë armiq të saj. Në vitin 1908, Sami bej Pojani, botoi në Korçë gazetën “Korça”, të parën gazetë shqiptare në Shqipëri dhe ngriti shtypshkronjën për shtypjen e gazetave, revistave, librave etj.

Në këtë kohë edhe klubi “Dituria Shqip”, e kryesuar nga Orhan Pojani, krijoi një bibliotekë të madhe, mjaft të pasur me libra dhe gazeta, ku vinin për të lexuar një numër i madh njerëzish. Librat e kësaj biblioteke u dogjën fill pas mbërritjes së grekëve në qytetin e Korçës më 7 dhjetor 1912.

Sipas mytevelinjëve të Korçës, nuk kishte xhami që të mos kishte bibliotekë, dhe kjo gjë rezulton të ketë qenë e vërtetë. Dëshmi të shumta, të shkruara, flasin për ekzistencën e bibliotekave të xhamive, teqeve, medreseve dhe familjeve të mëdha myslimane. Po renditim disa prej tyre:

Bibliotekat e Beratit

“Myftinia e Beratit ka patur një arkiv të moçëm në gjuhën turke ku gjendeshin gjithë aktet e Gjykatores së Shenjtë (sherie), regjistrat kadastralë të moçëm dhe shumë sende të tjera interesante për historinë e qytetit, dorëshkrime të ndryshme në arabisht e persisht dhe koleksione kuranesh.” (“Hylli i Dritës” 1938, nr. 6. 290)

“Teqeja e të mirit Sheh Hasanit ka patur shumë libra e dorëshkrime në gjuhët orientale (arabisht, persisht dhe turqisht), dhe dokumente të tjera që nga librat, dhe dorëshkrimet, dhe kishte shumë dokumente prej atyre që ishin të vlefshme për historinë e qytetit dhe të kombit tonë – fatkeqësisht kjo bibliotekë u dogj e gjitha në kohë të kryengritjes së rebelëve në vitin 1914. Thuhet se aty gjendej edhe dorëshkrimi i shkruar shqipe me gërma arabe i Nesim bej Përmetit që bën fjalë historia e literaturës shqipe.” (“Hylli iDdritës” 1938, nr. 6. 290)

“Jo larg qytetit të Beratit gjendet fshati ose lagjja e Velabishtit, ku edhe sot shihen gërmadha pallatesh, xhamie dhe teqeje si edhe varre (tyrbe). Këtu banonte Ismail Pasha, biri i Mahmud Pashës, njeri studios që kishte krijuar në pallatin e tij një bibliotekë fort të pasur, veçanërisht në vepra arabe, perse dhe turke, po, me vrasjen e Ismail Pashës në vitin 1771 u grabit dhe u dogj edhe biblioteka e tij, për arsye se ky ishte deklaruar e dënuar prej sulltanit të atëhershëm dy herë fermanli.” (“Hylli i Dritës” 1938, nr. 6. 290)

Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri) rrëfen për bibliotekat familjare që gjendeshin në Shqipëri: “Në Berat, më 1913 kisha parë te z. Sulo Resuli një dorëshkrim shqip (me shkronja turke), të vjershave të Sylejman Ramazanit, vjershëtor i dëgjuar në ato anë, beratas, jetuar një qind – një qind e pesë vjet më parë. …

Në Berat prapë mbahen dhe ruhen dorëshkrime të tjera të vjershëtorëve Hasan i Zyko Kamberi dhe Nezim-it; dhe unë vetë kam mes librave të mi dy dorëshkrime të vjershave të Hasanit Zyko Kamberit, tërë në shkronja turqisht, njëri prej të cilëve të paktën një qindvjeç i vjetër. Dy libra fetarë në vjersha, të shkruara në Frashër prej Dalip dhe Shahin beut, këndohen dhe sot në teqetë e bektashinjve…” (“Diturija” 1909, nr. 2, f. 22)

Biblioteka Baholli e Elbasanit

Më tej gazeta “Hylli i Dritës” na njeh me bibliotekën Baholli të Elbasanit. Kjo bibliotekë u themelua prej Nazif Bahollit në shenjë nderimi për birin e tij liceist, Qemal Baholli, i cili u nda nga jeta në qytetin e Korçës më 1 dhjetor 1929, kur ishte maturant.

Familja Baholli me origjinë nga Dibra, kishte ardhur në Elbasan në vitet 1900. Ndërtimi i bibliotekës nisi në vitin 1931, përfundoi më 1935, ndërsa Bashkisë iu dorëzua po atë vit, më 23 korrik. (Referuar gazetës “Hylli i Dritës” 1938, nr. 9, f. 480).

Sipas Wikipedia-s: “Sot biblioteka “Qemal Baholli” me 200.000 libra, koleksione dhe periodikë në gjuhë shqipe dhe të huaja, shquhet jo vetëm për veprat e rralla, koleksionet e fondit të periodikut të periudhës para Luftës II Botërore, por është dhe ndër bibliotekat më të pasura të vendit për nga fondi që zotëron”.

Në themel të Bibliotekës Kombëtare, Biblioteka “Frashëri” e Mit’hat Frashërit

Biblioteka “Frashëri” u krijua nga Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri) që nga rinia e tij e hershme; ishte më e pasura në Shqipëri.

Në vitin 1938 kishte 18.000 volume të ndryshme në gjuhët frëngjisht, gjermanisht, anglisht, italisht, greqisht, turqisht, shqip etj.; 200 dorëshkrime të ndryshme disa prej të cilave të albanologëve të njohur, koleksione gazetash, revistash; shumë dokumente historike etj.; libra që flisnin për Gjergj Kastriotin dhe Ali Pashë Tepelenën dhe një koleksion pikturash të historisë së Ali Pashës; ikona bizantine, relikte të çmuara të familjes Frashëri, sahati i motrës së Ali Pashës që ishte martuar në Libohovë, dy sahate bakri me kapak të Ali Pashës me stemën e satrapit, dy sahate të tjerë gati si të parat që kanë qenë të ministrit të oborrit të Ali pashë Tepelenës, frerin e kalit të Ali pashës dhe një koleksion tjetër monedhash të gjendura në vise të ndryshme të Shqipërisë e shumë gjëra të tjera, që nuk mundemi t’i përshkruajmë se na kaloi koha duke parë librat e ndryshme të bibliotekës së tij ku vërejtëm edhe shumë libra që dikur bënin pjesë në librat e bibliotekave të Arhidukës Ferdinand t’Austrisë të Mbretit Kostandin të Greqisë, dhe në mos gabohem dhe të Napolon Bonopartit, të sulltanëve e të Mahmud Pashë Shkodrës. (Referuar “Hylli i Dritës” 1940, nr.1, f. 61).

Biblioteka “Carnarvon”, një dhuratë e çmuar angleze për shqiptarët

Aty ku dikur ka qenë kinema “Ali Demi” dhe ku një ndërtesë nga ato të të sotmet, mëdhatë, nuk kanë lënë asnjë gjurmë të vjetër ka qenë “Biblioteka Carnarvon”, e ndërtuar në vitin 1928 dhe e përuruar më 1929, si dhuratë e familjes së lordëve (Earls) anglezë Herbert dhe personalisht e bamirëses së madhe filoshqiptare konteshës Carnarvon, e quajtur nga vetë shqiptarët “Nëna e shqiptarëve” dhe e dekoruar me Urdhrin Skënderbe më 1929. Kjo bibliotekë i përkushtohej të birit, mikut të madh të Shqipërisë, avokatit dhe mbrojtësit të të drejtave të shqiptarëve Sir Aubrey Herbert (1880-1923).

Biblioteka arriti në një koleksion prej 5.000 librash në gjuhët anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, gjuhë klasike etj., u shndërrua për Tiranën në bibliotekën e dytë të rëndësishme pas asaj Kombëtare. Biblioteka kishte një sallë të madhe leximi, 26 sergjenë për libra me 7 dollapë secili. Në sallë ndodhej edhe një oxhak me portretin e Aubrey Herbert, gdhendur në gur. Kontesha Carnarvon e kishte zgjedhur këtë vend nën kurorën e dendur të ullinjve si kult në kujtim të të birit, por fatkeqësisht, ndërroi jetë pak ditë para inaugurimit. Pas kapitullimit të Italisë fashiste, biblioteka u grabit nga oficerë italianë dhe një pjesë e saj u çua në Korfuz.

Biblioteka e Vlorajve

Sipas rrëfimeve të Eqerem bej Vlorës, biblioteka e tyre ka qenë mjaft e hershme, ngrihej pranë sarajeve, por edhe sarajet edhe biblioteka u grabitën pak vite më vonë nga dalja e Sulejman Pashës kundër Vlorës dhe vrasjes së Ali Beut më 1741. Për bibliotekën e familjes Vlora dëshmon edhe shkrimtari turk Evlia Çelebiu, ku jo vetëm ai por edhe babai i tij e kishin vizitur këtë bibliotekë:

“Shkrimtari Turk Evlia Çelebiu shkruan se me 1072 (alla Turka) ka banuar në fshatin Mekat (pranë Vlorës) në çifligun e Isuf Beut edhe ka shkuar kohën në Bibliotekën e tij shumë të çmueshme, në të cilën pat punuar shtat vjet rresht edhe i ati i Evlia Çelebiut. (“Hylli i Dritës” 1938, nr. 4, f. 162 -166).

Gjithnjë sipas gazetës së përmendur më sipër, Biblioteka u ringrit pranë sarajeve prej Ismail Pashës, i mbiquajturi Velabishti, bir i Mahmud Pashës, edhe më e pasur nga ç’kishte qenë, por pas vrasjes së tij më 1771, biblioteka u grabit sërish dhe iu vu zjarri. U ndërtua sërish, por në vitin 1814, biblioteka me vlerë 1.800.000 fr. ari, e përmendur edhe nga Pouquevill te libri i tij “Voyage en Albanie”, u grabit prej Ali Pashë Tepelenës. Megjithatë, biblioteka u ndërtua sërish e sërish.

Më 1832, Beqir beu u detyrua të shkojë në Misir. Për këtë arsye la peng te Kojevina në Korfuz orendi të shtrenjta dhe shumë libra me një vlerë prej 192.000 franga ari. Me vdekjen e Beqir beut, pasardhësit e tij u vendosën në Vlorë më 1849, por mallin e lënë peng, nuk e morën dot. Familja e Kojevinës u bë ndër më të pasurat e Korfuzit.

Kjo ishte dhe arsyeja pse bibliotekat grabiteshin herë pas herë, sepse ato çmoheshin shumë për vlerën e tyre, ose mund të liheshin peng, gjë që sot duket sikur nuk e kanë më atë vlerësim. Të vetmit që dogjën edhe librat edhe ndërtesat e bibliotekave ishin andartët grekë të vitit 1914.

Por familja Vlora nuk bënte dot pa bibliotekë. Mahmund beu, i ati i Ismail Qemal beut, vetë Ismail Qemali, por edhe biri i tij, Ismail beu ishin të dashuruar pas librave: Në bibliotekën e tyre gjendeshin libra në gjuhën greke, latine dhe italiane, librat e Dantes dhe të Petrarkës, por edhe kjo bibliotekë u zhduk.

“Biblioteka që ka sot familja Vlora është vepër e diplomatit plak Syrja Beut dhe e të birit, Eqrem bej Vlorës. Syrja beu ka filluar mbledhjen e librave rreth vitit 1875 dhe kanë vazhduar pareshtur gjer më sot.

Në vitin 1914 kjo bibliotekë kishte 14.600 volume, po mjerisht në gusht të atij viti, për t’i shpëtuare nga djegia ose nga grabitja e rebelëve, të cilët në atë kohë kishin djegur edhe bibliotekën e teqesë së Sheh Hasanit në Berat, që ka patur libra dhe dorëshkrime shumë për historinë e vendit tonë, i shtynë të gjithë librat në një bimcë (bodrum) ku u prishën ose u kalbën.

Sot (viti 1938), kjo bibliotekë zotënon 8.700 volume të ndryshme në gjuhët arabisht, turqisht, gjermanisht frëngjisht, italisht, greqisht dhe shqip, të cilat janë edhe gjuhët që njeh mirë i nderuari deputet i Vlorës.

Në bibliotekë ka edhe dorëshkrime në arabisht dhe në gjuhë të tjera që kanë të bëjnë me rilindjen shqiptare, të cilat do të botohen për së afërmi në një libër që ka shkruar i ati, Syrja beu nën titullin “Kujtime dhe fytyra nga koha e rilindjes s’ Atdheut t’onë prej vitit 1908-1923″ në gjuhën turke”.

Biblioteka përmban një koleksion me 138 kurane të shkruara me dorë, të mbledhura në Stamboll, Misir, Persi, Indi, Marok etj; një koleksion mjaft i pasur albanologjie dhe balkanologjie; koleksion armësh të vjetra, 230 copë, mbledhur në Shqipëri; koleksion tabakash 620 copë (sever, saks, çiu, vieux, vienne, çeshmir, bylbyl etj); një koleksion statujash të veçanta të Pojanit, Bylisit, Amantias, Orikumit dhe të Avlonës e shumë të tjera. (Hylli i Dritës 1938, nr, 4. f. 162 -166).