Në sheshin që rrethohet nga gati 10 dyqane fruta-perime është qetësi. Shitoret i kanë banakët bosh. Një pazi e prishur që mund t’ua prishë mendjen blerësve për spinaq. Ca lakra të freskëta dhe një lloj reçeli në kavanoz. Vetëm kaq. Dhe ca shitës që hanë fara luledielli të përgjumur. Unë kam një orë që bisedoj me shitësin, një djalë i ri që ka mbaruar 5-6 vjet të shkuara gjimnazin. Gjatë praktikës mësimore i kam dhënë disa orë letërsi këtij djali. Atëherë i kam folur për karakterin e mrekullueshëm të shqiptarit. Për vetitë e tij të admirueshme që mahnitën Bajronin, për bujarinë dhe besën. Tani ai, që nuk harron asgjë, më pyet:
-E mban mend, profesor, ç’më ke shpjeguar dikur në mësim?
I bëj një shenjë me dorë “më lër të qetë!” dhe qëndroj si murg para banakut. Nga porta e madhe shfaqen hera-herës ca si fantazma në kundërdritë. Kur afrohen në banak, disa i shquaj se cilët janë. Janë njerëz të shquar të kryeqytetit, artistë me emër, mjekë, ekonomistë – truri i kombit. Ata, herë qeshin me servilizëm para shitësit, herë bëjnë humor të sforcuar…janë aktorë të mrekullueshëm tek përpiqen me çdo kush që ta tundojnë shitësin.
Mbase ai futet pas perdes së dyqanit dhe iu shet nja dhjetë kokrra vezë, apo ndonjë frut!?…Mirëpo shitësi iu betohet se sot magazina s’e ka furnizuar. Atëherë, ata heqin maskën, pikëllohen dhe largohen të vrarë. Unë e di se ç’thonë me vete: “Më mirë të mos kisha shkelur këtu sesa humba gjithë këtë kohë dhe ula veten përtokë duke iu lutur një shitësi si…”
Ai që e njeh karakterin tonë përmes “Lahutës së Malcisë” të Fishtës, tmerrohet nga metamorfoza. Ai që e njeh përmes “A don qymyr, zotni?” të Migjenit, skandalizohet nga përsëritja pikë për pikë e shkatërrimit të karakterit. Karakteri ynë vërtet është në një pikë kritike. Shkrimtarë që në epistolarin e tyre kanë më shumë lutje se vepra. Vandakë letrash anonime. Shpifje pafund të shkruara me një kaligrafi të admirueshme…
Që foshnjë na mësuan të lutemi…Më dërgoi babi për një paqetë me filtër…pastaj lutjet për të hyrë në rini, lutje për t’u futur në punë, lutje për shkollën e lartë, lutje për transferim, lutje për shtëpi, lutje për shtesë rroge, lutje për të marrë një frigorifer, përgjërim te shitësi i peshkut, servilizëm te shitësi i vezëve, lutje te…
Kush na shkallmoi kështu ne njerëzve me besë burri e shpirt njeriu?
Ata që përpiqen ta mbajnë gjallë karakterin e tyre, e pësojnë. Më 16 janar, në orën 6 e 1 minutë të mëngjesit, fizikanii P.F., njeri që nuk dëshiron t’i lutet askujt, u plagos në dorë duke u shtyrë mes grumbullit të blerësve, në çastin që u hap dera e madhe e merkatos së Tiranës (ora kur hapet është 6). Vërtet e trishtueshme që viktima e parë e luftës në Irak, fill pas shpalljes së kësaj lufte, ishte në Tiranë.
Shitësi më thotë se i është mërzitur jeta në dyqan. Nuk shikon dot superintelektualët e kombit që të luten si mjeranë.
– Kam një javë që nuk çoj vezë e fruta në shtëpinë time, – shton, – s’ruaj dot një mall për vete. Si shoh dot njerëzit të luten. S’kam zemër.
Ai është një djalë i zgjuar. Më thotë atë që unë trembem ta sjell nëpër mend:
– Dyqanet një ditë do të mbushen, ekonomia do të mëkëmbet, por karakteri i këtyre njerëzve s’rregullohet më! Ata gjithë jetën do të hakmerren për këto vite, kur nuk i lanë të bëjnë shkencë dhe art, por i shndërruan në lypsarë!…
Ai ndoshta nuk di dhe një gjë tjetër: thuajse të gjithë ata që kanë shkruar letra anonime dhe shpifje, që kanë deponuar të paqëna nëpër gjyqe dhe vëllezërit e tyre, – të gjithë ata që kanë shkelur ligjin të detyruar me përdhunë nga presioni fatal i mekanizmit të ekzistencës, “po nuk fole, do të dënohesh ti”, sot janë penduar dhe i vret ndërgjegjja. Nëse një ditë do t’i harrojmë mëritë e vjetra, të fundit do të mbeten këta! Këta njerëz do të hakmerren ndaj vetvetes, ndaj fajit të tyre, duke ndenjur një kohë të gjatë forca inaktive për të mirën e kombit tonë.
Po sa intelektualë do të vetëparalizohen kështu?
Në të vërtetë, bomba atomike ka rënë në shpirtin tonë. Kjo është një bombë e llojit të veçantë. Në Hiroshimë ajo vrau njerëz dhe mbolli leuçemi. Tek ne shkatërroi karakteret e njerëzve dhe mbolli ligësi. Po si do ta zbukurojë këtë vend nja karakter i shëmtuar nga tatuazhet që ia fiksuan përdhunshëm këto 46 vjet? Si do ta shërojë Shqipërinë një shpirt i sëmurë njerëzor?
Rrituni sa më shpejt, fëmijët tanë! Bëhuni burra, jo si ne! Mos iu dorëzoni mjerimit, siç i ngritëm duart përpjetë ne!…
Në sheshin e merkatos është një boshësi e madhe. Ajo nesër do të gjallërojë nga zërat njerëzorë. Por unë i trembem boshësisë së shpirtit. Këtë gjë nuk e di akoma: a do të na mbushet ndonjëherë shpirti me jetë? A do të nisemi ndonjëherë me shpirtin tonë përdore drejt krijimeve të mrekullueshme njerëzore?