Në atë moment ia behu dhelpra.
“Mirëdita”, – tha ajo.
“Përshëndetje”, – ia ktheu me mirësjellje princi i vogël, duke u kthyer: por nuk pa askënd.
“Jam këtu”, – tha zëri, “poshtë pemës me mollë”.
“Kush je?” – pyeti princi i vogël, “dukesh shumë i sjellshëm…”
“Jam një dhelpër”, – tha dhelpra.
“Eja të luash me mua”, – i propozoi princi i vogël, – “ndihem kaq i mërzitur…”
“Unë nuk mund të luaj me ty”, – i tha dhelpra,- “nuk jam një kafshë e zbutur”.
“Ah! Kërkoj ndjesë”, – ia bëri princi i vogël.
Dhe pasi mendoi gjatë shtoi:
“Ç’do të thotë «të zbusësh»? “
“Ti nuk je nga këto anë”, – i tha dhelpra, – “çfarë po kërkon?”
“Kërkoj njërëzit,” – iu përgjigj princi i vogël. “Çfarë do të thotë «të zbusësh»?
“Njërëzit”, – tha dhelpra, – “mbajnë pushka dhe shkojnë për gjueti. Është një praktikë e tyre shumë e bezdisshme. Rrisin edhe pula. Është interesi i tyre i vetëm. Mos je në kërkim të pulave?”
“Jo”, – tha princi i vogël. “Po kërkoj shokë. Ç’do të thotë «të zbusësh»?”
“Është diçka e harruar prej kohësh tashmë. Do të thotë «të krijosh lidhje»…”
“Të krijosh lidhje?”
“Sigurisht”, – tha dhelpra. “Ti, deri në këtë moment, s’je për mua veçse një nga qindra mijëra djem të tjerë të ngjashëm me ty. Dhe nuk ta kam nevojën. Dhe as ti, nuk ke nevojë për mua. Unë nuk jam për ty veçse një dhelpër nga qindra mijëra dhelpra të tjera. Por, nëse ti më zbut, ne do t’ia kemi nevojën njëri-tjetrit. Ti do të jesh për mua i vetmi në botë, dhe unë e vetmja për ty.”
“Po filloj të kuptoj”, – tha princi i vogël. “Ekziston një lule… besoj se ajo më ka zbutur…”
“Ka mundësi”, – ia bëri dhelpra. “Çdo gjë është e mundur mbi këtë Tokë.”
“Oh! Por nuk ndodhet mbi Tokë”, – tha princi i vogël.
Dhelpra mbeti e hutuar për një moment:
“Mbi një planet tjetër?”
“Po.”
“Ekzistojnë gjahtarë në atë planet?”
“Jo.”
“Duket interesant. Po pula?”
“Jo.”
“Oh, s’mund t’i kesh të gjitha”, – psherëtiu dhelpra. Dhe iu rikthye avazit të saj: “Jeta ime është kaq monotone. Unë i shkoj nga pas pulave, ndërsa njerëzit me vijnë nga pas mua. Të gjitha pulat janë njësoj.Njerëzit gjithashtu. Është kaq e merzitshme. Por nëse ti më zbut, jeta ime do ketë tjetër kuptim. Do dëgjoj zhurma hapash që do të jenë ndryshe nga të tjerat. Hapat e njerëzve të tjerë më bëjnë të dua të zhdukem poshtë nën tokë. Ndërsa zhurma e hapave të tu do të më bëjë të dal nga ajo, sikur të ishte muzikë për veshët e mi. Pastaj, shiko! E shikon, atje në fund, fushën e grurit? Unë nuk e ha as bukën e as grurin, janë të panevojshme për mua. Fushat e grurit nuk më sjellin asgjë nëpër mend. Dhe kjo është shumë e trishtë. Por janë flokët e tua që kanë ngjyrën e arit. Atëherë po, kur të më kesh zbutur do të jetë gjithçka e mrekullueshme: gruri me ngjyrë ari do më bëjë të mendoj për ty. Dhe do ta dua zhurmën e erës që kalon midis kallinjve të tij…”
Dhelpra pushoi së foluri dhe vështroi gjatë princin e vogël:
“Të lutem… më zbut”, – i tha.
“Me kënaqësi”, ia bëri princi i vogël, “por nuk më mbetet shumë kohë. Duhet të bëj miq dhe të mësoj shumë gjëra.”
“Nuk njihen veçse gjërat që zbut”, i tha dhelpra. “Njerëzit nuk kanë më kohë për të njohur asgjë. I blejnë gjërat e gatshme nga tregtarët.Dhe meqënëse nuk ekzistojnë nga ata që tregtojnë miq, njerëzit nuk kanë asnjë nga këta të fundit. Nëse e do një mik, më zbut!”
“Çfarë duhet të bëj?” – pyeti princi i vogël.
“Duhet të tregohesh shumë i duruar”, – iu përgjigj dhelpra. “Si fillim, ti do ulesh disi larg meje, ja kështu mbi bar. Unë do të të vështroj më bisht të syrit, por ti nuk do më thuash as edhe një fjalë. Fjalët janë burim keqkuptimesh. Me kalimin e kohës ti do mund të ulesh çdo ditë e më afër meje…”
Princi i vogël u rikthye sërish të nesërmen.
“Do kish qenë më mirë të kishe ardhur në të njëjtën orë si dje”, – ia bëri dhelpra.
“Nëse ti vjen, përshembull, cdo pasdite në orën katër, unë do filloj të ndihem e lumtur që në orën tre. Me kalimin e minutave rritet dhe lumturia ime. Kur të jetë ora katër do filloj të shqetësohem dhe të mos zë rehat; do paguaj çmimin e lumturisë. Por nëse ti vjen, nuk e di se kur, unë nuk do e di asnjëherë kur të parapërgatitem shpirtërisht… Duhen bërë disa rite para se të gjithash.”
“Çfarë është një rit?” – pyeti princi i vogël.
“Dhe kjo është diçka tjetër e harruar prej kohësh”, – tha dhelpra. “Është ajo që e bën një ditë apo një orë ndryshe nga të tjerat. Kanë një rit, përshembull, gjahtarët e mi. Çdo të enjte kërcejnë me vajzat e fshatit. Kjo e bën të enjten një ditë të veçantë. Dhe unë shkoj deri te hardhia. Por, nëse gjahtarët do kërcenin në çfarëdolloj dite të javës, ato do ngjanin njëra me tjetrën dhe unë s’do kisha kurrë një ditë të qetë.”
Dhe kështu, princi i vogël e zbuti dhelprën.
Ndërkohë ora e ndarjes po afronte:
“Ah!” – ia bëri dhelpra, “… do qaj”.
“Faji është i joti”, – tha princi i vogël, – unë s’doja të të bëja keq, por ishte dëshira jote që të zbusja…”
“Është e vërtetë”, – ia bëri dhelpra.
“Por, ti do qash!” – i tha princi.
“Kjo është e sigurtë”, – tha dhelpra.
“Po atëherë!? Ç’fiton me këtë?”
“Fitoj”, – tha dhelpra,- “ngjyrën e grurit.”
“Princi i vogël” (fragment) – Antoine De Saint-Exupery
Kapitulli XXI