MENU
klinika

Negociatat

Cila është pika e PD, që po mban pezull marrëveshjen?

04.06.2020 - 12:43

Më shumë se sa një sqarim për publikun, Lulzim Basha u detyrua të dalë të mërkurën në mbrëmje vonë për t’i dhënë një përgjigje ambasadores së SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, e cila i kërkoi publikisht atij që të bëjë edhe ai pjesën e tij për të firmosur një marrëveshje, të cilën ajo e cilësoi si shumë të mirë për t’i hapur rrugën Shqipërisë drejt BE-së.

Në 9 orë negociata të ditës së martë, palët folën me një gjuhë të drunjtë, ku pak u mor vesh se për çfarë ishte rënë dakord dhe jo.

Burime për gazetën “Si” thanë paraprakisht se shtrirja e identifikimit biometrik në gjithë vendin, kushti kryesor i opozitës në tavolinë, është arritur me ndërhyrjen e mbështetjes financiare që do të ofrojë delegacioni i BE-së në Tiranë.

Nuk është pranuar kërkesa e PD-së që Gjykata Kushtetuese të marrë në dorë zgjedhjet, ndërsa duket se është gjetur një zgjidhje e përbashkët për rolin që KQZ-ja do të ketë në zgjedhje.

Paraprakisht nga PD-ja mësohet se është rënë dakord nga palët që zgjedhjet të “drejtohen” nga ana administrative jo nga KQZ, por nga një krye-komisioner që do të asistohet nga një këshill ankesash i përbërë nga pesë anëtarë, tre nga mazhoranca dhe dy nga opozita.

Palët kanë mbetur tek një çështje për të cilën Basha foli vetëm si numër, por nuk u fut në detaje që lidhet me përbërjen e KZAZ-ve dhe KQV-ve.

Opozita kërkon që në komisionet me 7 anëtarë, vetëm tre prej tyre të jenë të depolitizuar, ku kandidaturat të vijnë edhe nga jashtë administratës.

Por për pjesën tjetër, PD-ja propozon që të jenë katër vëzhgues, dy nga mazhoranca dhe dy nga opozita, me kushtin që të kenë të drejtën e shënimit në procesverbal për vërejtjet që mund të kenë.

Nuk dihet ende se çfarë formule do të hidhet sot në tryezë, ku ambasadorët tanimë janë mbledhur veças, ndërsa nga selia blu nuk ka ende një sinjal nëse do të vijojnë ose jo negociatat, pikërisht për çështjen për të cilën foli Basha.

Ajo që dihet deri më tash është se palët ngecin në detaje teknike, ndërsa për kërkesat politike si krijimi i një qeverie teknike. Këshilli Politik nuk e ka marrë asfare në konsideratë.(SI)