MENU
klinika

Presidenti i FSHF për rifillimin e Superligës

Duka: Keqardhje që rinis pa tifozë!

03.06.2020 - 13:35

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar të gjitha klubet, futbollistët, por edhe tifozët me rastin e rifillimit të kampionatit. Në mesazhin e tij për komunitetin e futbollit, Presidenti Duka shpreson që të gjithë futbollistët të kapin sa më parë formën e tyre dhe rikthimi në fushat e blerta të jetë sa më i lehtë.

“Të dashur futbollistë, tifozë dhe miq të futbollit! Pas një periudhe të vështirë për të gjithë vendin, por edhe gjithë botën, për shkak të pandemisë Covid-19 më në fund futbolli rikthehet sot me rifillimin e kampionatit. Kjo ndërprerje e menjëhershme e jetës sportive na ka dëmtuar, edhe ekonomikisht, por sigurisht dëmi më i madh ka qenë ai sportiv.

Futbollistët e të gjitha niveleve, profesionistë, amatorë, fëmijët, nuk e kanë shumë të lehtë që të kapin të njëjtën formë sportive. Ndërprerja patjetër që ka lënë shenjën e saj dhe unë uroj ta kalojmë sa më parë, edhe pse jam i ndërgjegjshëm se nuk do të jetë e lehtë”, – thotë Presidenti i FSHF-së.

“Edhe një herë përfitoj nga rasti t’ju kujtoj të gjithë futbollistëve, zyrtarëve të klubeve dhe stafeve organizative, që të jenë sa më të kujdesshëm e të zbatojnë rregullat e distancimit social dhe protokollet shëndetësore në lidhje me zhvillimin e ndeshjeve në këto kushte.

Protokolle me të cilat të gjithë aktorët dhe faktorët janë njohur tashmë. Unë jam i bindur, që ju dhe stafet tuaja, do të tregoheni të kujdesshëm në këtë drejtim, në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë. Ndihem i keqardhur, që ne nuk do të kemi mbështetjen e spektatorëve nëpër stadiume.

Uroj që shumë shpejt masat kufizuese të lehtësohen dhe tifozët të kthehen në stadiume për të mbështetur skuadrat e tyre të zemrës. Së fundmi, uroj nga zemra që kampionati të vazhdojë të na dhurojë sërish emocione, lojë të bukur dhe Fair-play. Edhe një herë, urimet e mia më të mira për rifillimin e kampionatit! Suksese të gjithëve!”, – e mbyll Armand Duka.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Sezonin e ri, në stadiumin tonë”

Demi “bekon” para kohe Tiranën për titullin