MENU
klinika

'Pse firmosa për pafajësinë e tij 8 vite më parë?"

Dvorani “thyen” heshtjen: Zhgënjimi im me KLGJ, beteja me Metën

13.06.2020 - 13:20

Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi pak ditë më parë ta konsiderojë të përfunduar mandatin e anëtarit të Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani. Për pasojë ai humbet edhe funksionin e tij si kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të cilin e ushtronte automatikisht si anëtari i vetëm i Gjykatës së Lartë.

Për herë të parë pas këtij vendimi, Ardian Dvorani ka pranuar të japë një intervistë të gjatë për emisionin “Java në RTSH” ku sqaroi pozicionin e tij, por edhe përplasjet me Presidentin Ilir Meta.

Duke folur në panelin me analistët Preç Zogaj e Lorenc Vangjeli, gjyqtari tha se është tepër e vështirë t’i gjesh një epitet vendimit të KLGJ. Ai nuk e fshehu se u surprizua nga vendimi, teksa shtoi se nuk ka betejë personale me askënd.

Ardian Dvorani shtoi se gjatë ushtrimit të detyrës së tij nuk ka llogaritur kurrë se cilin ka përballë, por ka ndjekur gjithmonë parimet dhe ligjshmërinë.

Ai shpjegoi pse ishte e pamundur të largohej më parë si anëtar i Gjykatës së Lartë, duke renditur tre argumente kushtuetuese.

Teksa komentoi aktualitetin me institucionet e drejtësisë, Dvorani shtoi se KLGJ nuk mund të vihet në lëvizje nga kërksat që vijnë nga jashtë sistemit, pasi ky ka qenë edhe thelbi i reformës në Drejtësi.

Në lidhje me ankimimin e mundshëm të vendimarrjes nga KLGJ, ai shtoi se do t’i konsiderojë të gjitha rrethanat dhe se nuk tërhiqet nga parimet.

Dvorani komentoi edhe vendimin për pafajësi ndaj Ilir Metës, që ai mori pas gjyqit për çështjen e videopërgjimit me Dritan Priftin.

I pyetur nga analisti Vangjeli për kohën kur ai ishte gjykatës i Presidentit të sotëm, Dvorani tha se i ka dhënë hakun kujtdo sipas ligjit.

“Ju keni firmosur për pafajësinë e zotit Meta pas një procesi të bujshëm. Ishit pjesë e rezultatit pesë me zero të trupës gjykuese” – komentoi Lorenc Vangjeli.

Por Ardian Dvorani, duke iu referuar gjyqit të Metës që nisi në vitin 2011, tha:

“Ai është një vendim prej 100 e ca faqesh. Prej tyre 26 faqe është mendimi im që është ndryshe nga pjesa tjetër e trupës gjykuese.

Por ka një parim. Për aq kohë sa nuk është provuar fajësia, gjyqtari nuk mund të japë vendim ndryshe. Gjyqtari është i ftohtë, mund të gjykojë jashtë seancës çfarë të dojë. Por në seancë merr vendim mbi materialet e dosjes.

E kam thënë se isha pro pafajësisë, por kisha rezerva për të gjithë procesin. Provat nuk u shqyrtuan të gjitha, seancat me dëshmitarë nuk u kryen të gjitha, ekspertiza amerikane ishte e vlefshme, ekspertiza shqiptare ishte e padenjë e kështu me radhë.

E dini ju që Gjykata e Lartë në atë kohë nuk e pa dhe nuk e dëgjoi atë që panë të gjithë? Në sallë nuk u pa dhe nuk u dëgjua” – tha Ardian Dvorani në studion e emisionit “Java në RTSH” duke iu referuar videos Meta-Prifti.