MENU
klinika

Ronaldo nuk shkëlqen te Juventus

Dy vjet larg Real Madrid, CR7 pa 6 çmime personale

03.06.2020 - 19:49

U mbushën dy vjet nga largimi Cristiano Ronaldos nga Real Madrid, teksa më pas zgjodhi Juventus për vijimin e karrierës. Duket se këto dy vjet kanë humbur të dyja palët. Realiteti është se edhe “palmaresi” i CR7, gjithashtu, ka humbur shumë, veçanërisht në titujt individualë.

Portugezi ka fituar çmime të shumta me fanellën e bardhë, siç është edhe “Pichichi” (golashënuesi më i mirë i La Liga-s). Këtë çmim nuk e mori dot në Itali, në sezonin e parë si bardhezi, vështirë ta bëjë të vetin edhe në të dytin, sezonin aktual.

Këto llogari ia kujton “Marca”, e cila shkruan në analizën e saj se “të gjithë titujt kanë më shumë rëndësi dhe impakt më të madh në të gjithë botën, kur vesh fanellën e bardhë”. Shkurt e shkoqur, prtestigjiozja spanjolle, shumë afër klubit galaktik, i kujton yllit portugez gjashtë çmimet e shkëlqyera individuale, që i mungojnë prej momentit kur zgjodhi Juventus.

Ata janë: “Pichichi”, “Topi i Artë”, “The Best Fifa”, “The Best UEFA”, “Këpuca e Artë” dhe shënuesi më i mirë në Champions League. Luzitani 35-vjeçar nuk e ka fituar asnjërin nga këto çmime gjatë dy viteve në Torino, që kanë ikur shumë shpejt. Ai ka ngushëllimin se është shpallur në vitin 2019 lojtari më i mirë në Serie A, përveç titullit, Superkupës Italiane dhe ndonjë rekordi me gola.

Kujtojmë se CR7 e ka fituar pesë herë “Topin e Artë”, një më pak se Messi. Si “The Best FIFA” ka triumfuar dy herë me Real Madrid, më 2016 dhe 2017. Sa i takon “Këpucës së Artë”, këtë sezon Leëandoëski është i paarritshëm. Ai ka shënuar 29 gola me Bayernin, që llogariten ndryshe 58 pikë.

Ronaldo aktualisht është i pesti, me 21 gola (42 pikë). Këtë çmim, të golashënuesit më të mirë sezonal në Europë, e fitoi dy herë radhazi në “Bernabeu”; 2013-2014 dhe 2014-2015. Leo Messi ka dominuar në këtë drejtim në tre vitet e fundit.

Në sezonin e tij të parë me Juventusin, portugezi nuk u fut as në tri vendet e para. Në total, Ronaldo është golashënuesi më i mirë i Champions League. Një rekord, që e arriti sa ishte në Madrid. Për momentin ka një diferencë të mirë golash me Messin: 128 me 114.

Por, në vitin e tij të parë me Juventusin, ai është shumë poshtë rekordeve të tij në Madrid, me 6 gola. Në këtë afat kohor, Messi është golashënuesi më i mirë, me 12 gola. Si pjesë e Real Madrid, ai përfundoi gjashtë vite si golashënuesi më i mirë i Champions-it, plus një sezon tjetër me Manchester United.

Ai e ka rekordin e më shumë golave në një edicion të këtij kompeticioni, me 17 gola, në 2013-2014. “The Best UEFA” e ka tuar dy vite radhazi, sa luante për të bardhët; 2016 dhe 2017. Po kështu, këtë çmim e ka bërë të vetin edhe në vitin 2014, po me galaktikët.

Çmimin “Pichichi” (golashënuesit më të mirë të La Liga-s) e ka arritur tri herë me Real Madrid. Me Juventus jo vetëm që nuk mundi ta fitojë atë në sezonin e parë, por doli i katërti, me 21 gola. Edhe në këtë sezon nuk e ka aspak të lehtë, sepse Immobile kryeson me 27 gola, ndërsa portugezi është i dyti, me 21 gola.