MENU
klinika

Frikë nga përhapja e COVID

Edhe një shtet shton Shqipërinë në ‘listën e kuqe’

24.06.2020 - 16:42

Qeveria e Sllovenisë do të largojë Malin e Zi dhe Luksemburgun nga “lista e gjelbër” e 19 vendeve të sigurta, nga të cilat është e mundur të hyni në Slloveni pa aplikimin e masave kufizuese.

Në të njëjtën kohë, qeveria do të shtojë Shqipërinë dhe Portugalinë në “listën e kuqe” të vendeve nga të cilat hyrja në Slloveni nënkupton një karantinë të detyrueshme dyjavore, me disa përjashtime.

Masat e reja kufizuese për të katër vendet do të zbatohen nga nesër, tha zëdhënësi i qeverisë Jelko Kacin para gazetarëve, pas mbledhjes së qeverisë, e cila u mbajt pasi Sllovenia regjistroi një rritje të numrit të rasteve të koronavirusit të importuar nga jashtë, kryesisht nga vendet e ish-Jugosllavisë. Sipas agjencisë sllovene STA, numri i rasteve të reja për 100,000 banorë në Shqipëri dhe Mal të Zi në 14 ditët e kaluara ka tejkaluar 10. Sa i përket “listës së kuqe”, në të cilën do të vihet Shqipëria dhe Portugalia, ajo i referohet vendeve që kanë regjistruar më shumë se 40 raste në ditë për 100,000 banorë në dy javët e kaluara.

Ndryshe nga fillimi i pandemisë, kur Europa Lindore dukej ‘nxënësi’ model, gjërat po ndryshojnë ditët e fundit. Në disa vende të rajonit, rastet po shtohen ndjeshëm, raporton gazeta austriake Der Standard. ‘Virusi duket se po përhapet në Ballkan,’ shkruan gazeta duke e vënë theksin te Maqedonia e Veriut, por jo vetëm. Sipas saj, kjo situatë ka shqetësuar Brukselin që po shqyrton mundësinë për të mos hapur kufijtë me këto vende.

“Edhe në Kosovën fqinje, numrat janë rritur shumë gjatë dhjetë ditëve të fundit dhe nuk kanë qenë kurrë më të larta. Më 16 qershor u shënua një rekord me 141 infeksione të reja. Një pamje e ngjashme, por jo kaq dramatike, shfaqet në Shqipëri, ku kurba është rritur përsëri. Kjo është një arsye tjetër pse në Bruksel janë të shqetësuar dhe të pasigurt nëse duan të lejojnë qytetarët nga Ballkani të hyjnë në vendet e BE në të ardhmen. Në të kundërt, disa nga vendet e Europës Juglindore si Bosnja, nuk kanë hapur ende kufijtë e tyre për turistët,” shkruan gazeta.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rregullat përgjysmojnë numrin e çadrave

Plazh në kohë Covid-19 në Vlorë