MENU
klinika

PriFest12, së shpejti!

Festivali në qiell të hapur: filmat GRATIS

01.06.2020 - 20:02

        Pas pandemisë covid-19, që shkaktoi anulimin e shumë festivaleve dhe aktivitete kulturore, PriFest në bashkërendim me institucionet përgjegjëse, si dhe duke pritur protokollet e veprimit të mëtejshëm për respektimin e masave mbrojtëse, ka vendosur që edicioni i 12-të i festivalit, të mbahet nga data 14 deri më 19 korrik.

Festivali është paraparë të mbahet krejtësisht në ambiente të jashtme, kinema në qiellin e hapur, në dy-tri lokacione në qendër të Prishtinës.

Meqenëse nuk do të ketë shumë të ftuar të huaj që udhëtojnë në Kosovë, pjesa e platformës regjionale të industrisë së filmit – PriForum, do të mbahet online, në mënyrë që ekspertët e ndryshëm dhe të ftuarit e huaj të jenë prezent, pa marrë parasysh situatën.

Po ashtu, është vendosur që këtë vit, festivali t’i shfaqë filmat gratis për publikun.

Gjatë ditës në hapësirën e festivalit para Teatrit Kombëtar do të realizohen biseda, debate, panele e kyҫje online me ekspertë të ndryshëm ndërkombëtar, si dhe workshopet e PriForum të cilat mund të ndiqen online apo në hapësirën e festivalit.

PriFest, tanimë ka hapur thirrjet për “Best Pitch” aplikim projektesh filmike, “Prishtina Kino Kabaret”, “Green Film Project”, etj.

PriFest, do të mbahet prej 14 deri më 19 korrik, ndërsa PriForum, nga 17 deri më 19 korrik.