MENU
klinika

"Zgjedhja e tyre apo e shefave?"

Flutura Açka e revoltuar me moderatoret e zhveshura

22.06.2020 - 12:28

Shkrimtarja e njohur Flutura Açka ka kritikuar sot zhveshjet e vajzave në ekran, duke marrë si shembull moderatoret sportive shqiptare!

Në një postim në Facebook, ajo shprehet se nuk e di nëse kjo zhveshje është zgjedhje e tyre apo e shefave të tyre, por e di që këtyre vajzave u duhet të mbijetojnë në këto ekrane të egra në këto forma, ndryshe do ta pësojnë si ca mikeshat e saj “që nuk duken më andejpari ekraneve se janë ‘plakur’”.

Shkrimtarja u lutet këtyre vajzave, të cilave nuk ua ka publikuar fytyrat, që t’i lënë këto veshje për mbrëmjet në disko apo plazhe. Ajo thotë se ekrani shqiptar është një pasqyrë që tregon se çfarë është femra dhe si trajtohet ajo në shoqërinë shqiptare.

Ja postimi i plotë i Flutura Açkës:

Vajzat e kujt sporti?

Të jetë kjo zhveshje në programe kryesisht të dedikuar për burra – programet e sportit në tv shqiptare – një zgjedhje e tyre? Apo e shefave të tyre? Vajzat e sportit, i drejtojnë këto programe, besoj unë, sepse e njohin fushën e tyre, jo që të jenë objekt për t’ua kujtuar lukunisë, ndonjëherë shumë të uritur të burrave, se çfarë u mungon. Dhe të zgjuar nga adrenalina e lojës, hedhin sytë te e bija, tek e shoqja, të fqinja, te sekretarja, dhe përdhunimi iu duket sport i tyre. Në njëzet vite në Holandē, nuk më ka zënë syri kurrë, komentatore sporti të zhveshura kështu, madje asnjë grua të zhveshur televizioni. E kuptoj, këtyre vajzave të mira, u duhet të mbijetojnë në këto ekrane të egra në këto forma, ndryshe do ta pësojnë si ca mikeshat e mia që nuk duken më andejpari ekraneve se janë “plakur”.

Por unë do t’u lutesha që t’i ruanin këto fustane për mbrëmjet e diskotekat a plazheve të shumtë, sepse kështu mbrojnë disi nga strabikët mentalë mikeshat e tyre të heshtura pas ekraneve. Ua kam hequr fytyrat vajzave, sepse nuk e kam personale me to – mund të jenë plot të tjera që nuk m’i ka zënë syri – por e kam me ethet e pështira të ekraneve, që ma kujtojnë mua të parës, dhe ne grave shqiptare ku jemi e ku s’jemi, se çfarë është femra. Mua, që kam shkruar libra për lirinë, mes të tjerash, për lirinë dhe emancipimin e gruas shqiptare.