MENU
klinika

dhe bunkeri në…

Historia e kishës së Linit që u transformua në bunker

07.06.2020 - 06:15

E kaluara diktatoriale e Shqipërisë ngjall edhe sot kureshtjen e mediave të huaja. Deutsche Welle sjell përmes një reportazhi një nga dëshmitë unikale të Shqipërisë ateiste, “historinë e Kishës – Bunker”.

Lini, gadishulli i vogël në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit, vetëm 22 km nga qyteti i Pogradecit, ruan një nga dëshmitë unikale të Shqipërisë ateiste.

Në kodrën që shtrihet fshati,në pikën fundore të saj, ku vështrimi ndahet mes Ohrit dhe Pogradecit, ndodhet Bunkeri – Kishë i Linit. Në 1967, pas vendimit për çrrënjosjen e fesë, Kisha 3 shekullore e “Shën Nikollës” u shemb për t’u ndërtuar në vend të saj një bunker.

“Deri në 67-tën këtu ishte një Kishë paraklise e vogël e Shën Nikollës, e shenjtit që e festojmë ne ortodoksët në 6 dhjetor. Kisha u prish nga regjimi i Enver Hoxhës dhe u bë ky bunker.

Edhe në atë kohë vinin besimtarët dhe luteshin. Bunkeri u bë të mbroheshim nga Jugosllavia, këtu shërbenin ushtarët ditë e natë. Pas viteve 90′, me ardhjen e demokracisë kjo u bë prap Kishë. Besimtarët sollën ikonat dhe luteshin”.

Ndrijo Shegani, banor i Linit: ” Për bunkerin kujdesen banorët e fshatit që shkojnë dhe ndezin qiri të shtunave e të djelave. Kush quhet Nikolla ose Nikoleta ndez qiri në ditën e Shën Nikollës dhe ne i urojmë në shtëpi “ta gëzosh emrin”.

Bora, turiste: “Unë tani sapo u ula nga aty, jemi nga Shkodra dhe erdhëm ta vizitonim. Për mua ishte shumë e çuditshme. Nuk ka rëndësi për çfarë është ndërtuar më pas, për cfarë është vënë guri i parë, ai mbetet”

Shqipëria u bë i vetmi vend ateist në botë, ku u shkatërruan 2169 objekte kulti. Pas valës shkatërruese të 1967, mbijetuan vetëm 96 objekte kulti nën cilësimin monumente kulture.