Një vizatim i pabotuar nga Viktor Hygo, “Nisja e balonës”, u shit sot për 37 500 euro në Paris, sa dyfishi i vlerësimit të tij më të lartë (18 000 euro), njoftoi shtëpia e ankandeve “Stoheby’s”.
Ky vizatim i bukur nga autori i librit të famshëm “Të mjerët”, i cili ka qenë edhe projektues i talentuar, tregon një tullumbace me një shportë, që ngrihet mbi çatitë dhe këmbanaret e Parisit.
Ai dëshmon për luftën e vitit 1870 dhe periudhën shumë poshtëruese, të rrethimit të Parisit nga Prusia.
“Nisja e Ballonës” është një homazh për balonat e ndërtuara dhe të përdorura gjatë rrethimit, për të komunikuar jashtë qytetit.
Në mesin e atyre 67 balonave që u ngritën në 1870-1871, ajo e 26 shtatorit 1870, mbarti broshura të shkruara nga Viktor Hygoi, që u hodhën mbi frontin e armikut.