MENU
klinika

Peticion me 500 firma

KE përgjigje albanologëve: E ardhmja e Shqipërisë është në BE!

04.06.2020 - 19:27

       Dy muaj më parë, intelektualë shqiptarë edhe të huaj, i dorëzuan Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, një peticion me 500 firma, ku kërkonin që të përshpejtonin antarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Profesor Matteo Mandala, rrëfen përgjigjen që ka marrë, ku midis të tjerave, flitet se e ardhmja e Shqipërisë është në BE!


Para dy muajsh, qeveria shqiptare dërgoi në Itali 30 mjekë dhe infermierë, të cilët do t’i vinin në ndihmë popullit italian, i gjendur në vështirësi për shkak të covid-19. Të ndikuar nga kjo nismë, dy albanologët edhe studiuesit e njohur, Matteo Mandala dhe Franceso Altimari, përmes një peticioni të firmosur edhe nga 500 intelektualë vendas edhe italianë, i dërguan një letër presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për t’i thënë se, Evropa është shumë më e madhe edhe e gjerë, se ajo që është sot, prandaj, ka disa detyrime ndaj popujve të Ballkanit Perëndimor, që të hapë kufijtë, për të vazhduar procesin e integrimit. Pas kësaj thirrjeje, presidentja e KE-së, ka ngarkuar për t’u përgjigjur në emër të saj, shefen e njësisë për Shqipërinë, pranë drejtorisë së përgjithshme për politikat evropiane të fqinjësisë dhe negociatat e zgjerimit, Michela Matuella, e cila, mes të tjerash shprehet se:

Të nderuar profesorë! Ju falënderojmë për letrën tuaj të 26 prillit, drejtuar presidentes së Komisionit Europian Ursula von Der Leyen, e cila më ngarkoi mua për t’iu përgjigjur! E kemi pritur me kënaqësi apelin tuaj të përzemërt për solidaritet, bashkëpunim dhe përforcim të procesit të Integrimit Europian. Shembulli i Shqipërisë, së cilës ju i referoheni tregon dhe njëherë rëndësinë e lidhjes strategjike midis Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor! Angazhimi i BE-së për Shqipërinë është konkret. Në vazhdën e viteve dhe deri në krizën e fundit të pandemisë së covid-19, është materializuar në një suport të madh edhe asistencë të vazhdueshme. Me qëllim mbështetjen e përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të zbutur pasojat e pandemisë në vijimësi, Komisioni Evropian i ka akorduar mbi 50 mln euro. Kjo mbështetje është adresuar për infrastrukturën sanitare, por edhe në mbështetje të sektorëve të ekonomisë që janë prekur më shumë nga kriza. Një tjetër gjest i rëndësishëm solidariteti për popullin shqiptar është konkretizuar 17 shkurtin e kaluar, në kuadër të konferencës “Together for Albania – International Donors conference”. Komisioni Europian ishte në krye të organizimit të këtij eventi që garantoi në shkallë globale mbledhjen e fondeve për mbështetjen e rikonstruktimit të zonave të prekura nga tërmeti i tmerrshëm i nëntorit të shkuar të vitit 2019. Kontributi specifik i BE-së ishte 115 mln euro, të cilit iu shtuan kontributet e shumë donatorëve të tjerë bilateralë edhe jo vetëm, për të një total prej 1.15 miliardë .

Ashtu siç ka deklaruar së fundmi, Presidentja Von der Leyen, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, pra edhe ajo e Shqipërisë, është në Bashkimin Europian. Procesi i zgjerimit shpërblen meritën e vendeve që adoptojnë reformat për shtetin e së drejtës, të drejtat thelbësore dhe proceset demokratike. Komisioni Evropian do të vazhdojë dialogun e tij me Shqipërinë për këto tema, për të mirën e qytetarëve shqiptarë”, – shkruan Michela Matuella.

kolana e librave

Profesor Matteo Mandala, përmes një bisede telefonike për “ReportTV”, shprehet optimist për anëtarësimin e Shqipërisë në BE:

“Letra e zonjës Michela Matuella është shumë premtuese, se vjen prej kërkesës që ka bërë presidentja e KE-së. Ne jemi shumë të kënaqur nga kjo përgjigje, sepse kjo letër tregon se Europa është afër dëshirave të qytetarëve. Shpresojmë që të arrihet atje ku ne dëshirojmë që të mbërrimë, në Integrimin e plotë të Shqipërisë në BE. Është e vështirë të përcaktohet koha, sepse varet nga shumë gjëra. Por, unë them se jemi brenda procesit, edhe e shikoj të ardhmen optimiste. Plotësohet një ëndërr që është e vjetër në mjediset intelektuale të shqiptarëve, që nga koha rilindësve ose më troç, që nga koha e Skënderbeut”.

Albanologët edhe studiuesit e njohur Matteo Mandala dhe Franceso Altimari, janë anëtarë nderi në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dy atdhe, një histori më dysh...

“Moj e bukura More…” Arbëreshët në UNESCO?