MENU
klinika

Nga Prof. Dr. Fadil Maloku

Kolonizimi i mendjes është shumë më i rëndësishëm, se sa ai i territorit!

18.06.2020 - 17:00

1. Kolonializmi, e sidomos neokolonializmi postmodernist, sociologjikisht mund të përkufizohet edhe si tendencë rritjeje, ruajtjeje, dhe zgjerimi e hegjemonëve të kohës. Nga këndvështrimi historik, neokolonializmi e nënkupton edhe idenë e rritjes së ambicieve, monopoleve, dhe kontrollit masiv të vendeve të vogla, të varfra, të paemancipuara dhe të pa arsimuara.Balkanizimi i rajonit, që gjeografikisht dhe gjeostrategjikisht përfshin vendet e ish Jugosllavisë (në kuptimin më të ngushtë; minus Slloveninë dhe plus Shqipërinë) dhe disa shtete tjera (në kuptimin më të gjerë), në fakt është një ambient mjaft pjellor, për interpretimin postkolonial. E themi kështu, sepse kemi parasysh gjithnjë historinë ekzistenciale, dhe ndërrimin e “çlirimtarëve” të herëpashershëm të kësaj hapësire. Dhe nuk është i rastësishëm perceptimi për Ballkanin Perëndimor, si një “udhëkryq” strategjik, ekonomik, e civilizues për hegjemonët e kohërave të ndryshme, duke filluar që nga antikiteti e deri në ditët e sotme. Duket që dukuria e proamerikanizmit dhe properëndimizmit në mentalitetin dhe etnopsikologjinë shqiptare (në veçanti atë kosovare) është duke e riamputuar “prefiksin” e prirjes dhe ndjenjës së kompleksit të inferioritetit individual e kolektiv. Riamputimi, rikonfigurimi, apo edhe riaktivizimi i këtij kompleksi, që në jashtësi në të gjitha periudhat e qenësimit historik shqiptar ka kultivua përshtypjet e një lloj emancipimi fetar, civilizues, e kulturor(kujto sundimet; romake, bizante, otomane, e serbe), në fakt ishte i dëmshëm dhe çka është më e rëndësishme; tejet kompleksiv, për etnitë e vogla dhe të paorganizuara; ekonomikisht, ushtarakisht e kulturalisht, sikurse ishin shqiptarët. Tani, edhe në ditët tona është duke vazhduar ky trend i akomodimit me çlirimtarët e rinj, miqtë apo aleatët tanë. Dallimi i “arkitekturës” së re fuqizuese, qëndron veç në folklorin dhe ikonografinë e mënyrave të reja amputuese. Ndërkaq, qëllimi mbetet ai i njëjti, ai i vazhdimit të kompleksit që na e imputuan “miqtë dhe aleatët e vjetër historik” (lexo pa hamendje; pushtuesit!). Por, pse ndodhi kjo kështu? Po t’i pyesësh, historianët, ata ta japin një përgjigje obskurante që të bëjë me: vogëlsinë tonë demografike, madhështinë e pushtuesve historik, degradimin… e përralla tjera fëmijërore. Filozofët, nuk kanë jap përgjigje fare. Për një arsye të thjesht; s’i keni pasur asnjëherë në traditën dhe etnopsikologjinë tonê kolektive. Se në rrafshin e mëhallëve, krahinave… kemi pasur për eksport! Etnologët e antropologët mbetën dhe akoma mbetën të fjetur në inkubatorin e dijes. Ekonomistët dhe ushtarakët, nuk janë marr askund me dukurinë e kompleksit të inferioritetit.

2. Tani, mendoj që është koha që dioptria sociologjike, duhet t’i hyjë analizës përmbajtjesore dhe të jap gjykimin e vetë meritor. Por, edhe këtu çalojmë se vetëm ky komunitet nuk mundet ta diagnostifikojë natyrën e kompleksit të inferioritetit, që na e ka vonuar shumë realizimin e asaj që shquhet dhe identifikohet si arkitekturë e shtetësisë dhe vetëdijes kombëtare.Kjo prirje, por, duket edhe si synim i natyrshëm tashmë është bërë edhe sekret publik, si për rajonin, ashtu edhe në nivel global. Këtë e kanë konstatuar edhe shumë sondazhe vizavi. Kjo dukuri, me sa mund të bazohet dioptrinë tonë sociologjike, e sidomos përvojën e proamerikanizmit në botë, tek ne, në vend të varësisë dhe identifikimit me sistemin vleror, social, politik, kulturor, e parime dhe fondamente mbi të cilat u ndërtua dhe u mirëmbajt “ëndrra amerikane” me dekada të tëra, në nivel global, po ushtrohet në formë dhe përmbajtje inferioriteti e pajtimi të qenit infantil, dhe at si komb edhe si shtet. Pra, në vend që ta ndërtojmë këtë identifikim dhe varësi vlerore nga sistemi model amerikan, ne në fakt gabimisht këtë identifikim po e ushtrojnë tashmë dy tri dekada, si imitim i verbët dhe si model që nuk e përmbrendëson jashtësinë tonë autentike kulturore. Thënë më ndryshe, neve na duhet jo imitimi i verbët i manifestimit dhe përshtypjeve të jashtësisë kulturore e sociale amerikane, por, identifikimi i pahamendësuar me vlerat e dëshmuara që i kultivon dhe mirëmban sistemi amerikan, si janë ato të; sundimit të ligjit, lirisë së shprehjes, ato të qarkullimit, pastaj ato gjinore, etnike, fetare, racore, kulturore, etj.Ndërkaq, motivet sociologjike të hiperproamerikanizmit shqiptar, në rast se dëshirojmë dekonstruktojmë paragjykimet dhe stereotipitë eventuale të cilat me kalimin e kohës edhe mund rriten, duhet t’i kërkojmë edhe në rrafshet tjera. Mendoj që proamerikanizmi, sidomos ai i shqiptarëve të Kosovës, përveç motiveve çlirimtare duhet gjurmuar edhe në prirjen tonë pak a shumë historike të nevojës për ta pasur një mik, aleat, apo edhe partner strategjik për synimet tona kolektive. Të cilët nuk i patëm, për ta rrumbullakuar identitetin shtetërore, pastaj, për ta ushqyer identitetin e suspenduar (nga Serbia) kombëtar, si edhe për ta realizuar synimin për (gjithashtu të kontestuar nga Serbia) identitet shtetërorë.Ngase, historikisht është dëshmuar se popujt që kanë trashëguar një mentalitet nënshtrues të prodhuar dhe stimuluar me të gjitha mjetet e (pa)lejuara, duke mos përjashtuar këtu edhe sistemin vlerorë të pushtuesit, në (në)vetëdijen e tyre individuale e kolektive, në formë, por edhe në përmbajtje të një imitimi puro e të verbët, pra, një njëmendësi të robit, e kanë shumë vështirë të akomodohen me lirinë e të gjykuarit, lirinë e shprehjes dhe atë të vepruarit autokton. Pse e themi, autokton? Për një shkak shumë të thjeshtë; se popujt që nuk ndërtuan mekanizmat e vetë mbrojtës për ta ushtruat lirinë e tyre sociale, lirinë e vendimmarrjes vetanake politike, iniciativën e rritjes së qenies së vetë; institucionale, ushtarake e sidomos kulturore, janë të prirur gjithnjë të imitojnë verbërisht popujt ofensivë, që në fakt këtyre të nënshtruarve ua hijeshojnë “qeverisjen” (alias; sundimin). Imitimi si termë është modeli fillestar i “pranimit të tjetrit” për ta menaxhuar qeverisjen tënde, e në fakt pushtuese … Imitimi, si model i sjelljeve individuale dhe kolektive e popujve që nuk kanë arritur historikisht të realizohen si “mëkëmbës” të vetvetes së tyre, nga përvojat kolonialiste qëllimisht përdoret për ta arsyetuar ekzistencën e tyre historike!

3. Pamundësia e rritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve; ekonomike, intelektuale, politike, ushtarake e sidomos kulturore, këtyre popujve e shteteve në mentalitetin dhe etnopsikologjinë e tyre, ua “lejon” amputimin e cilësisë së imitimit dhe sidomos atij të identifikimit, si stad më i lartë i varësisë..Identiteti shtetërorë i një vendi ndërtohet duke kultivuar dhe mirëmbajtur identitetin kombëtar, atë qytetar, gjuhësor, religjioz, social, e kulturor. E jo duke e zhvatur, oligarkët.Shume sociolog, kolonializmin e sotëm shohin si formë e sofistikuar e dominimit, dhe jo vetëm politik e ekonomik, por edhe ushtarak e sidomos kulturor. Ky fenomen i shfrytëzimit te kombeve, shteteve dhe vendeve tjera e ka origjinën që nga shekulli i i XV, kur Spanja, Portugalia, Anglia, Franca Holanda, etj. bënë zbarkimin e tyre nëpër pothuajse gjithë globin. Dhe si imperativ kishin gjeja ekspansionin e vlerave dhe kulturës se tyre fetare, ekonomike, sociale, politike, etj. Pra, në emër të një çlirimi formal, ato në fakt pushtuan hapësirat e (gjeografisë, ekonomisë, etnopsikologjisë dhe civilizimit) këtyre vendeve .Por, në këtë kontekst duhet bërë një dallim. Në fakt, qeverisja e sotme koloniale dallon si në forme ashtu edhe ne substancë. Në shekujt e parë të ekspansionit të kapitalizmit kolonializmi ushtrohej nga një qendër e vetme, ndërkaq, sot, kolonializmin e kemi shumë më të sofistikuar dhe më të përzgjedhur, si në metodologji, ashtu edhe në qasje, Pra, pas luftërave nacionale për pavarësi tek këto vende e shtete të kolonizuara, u ndryshua qasja e “mirëmbajtës” dhe ushtrimit të kontrollit dhe menaxhimit. Me çka u rivendos “neokolonializmi” shumë më i sofistikuar, si për nga mjetet ashtu edhe për nga qëllimi. Mjetet që u përdoren u “testuan” dhe aktualisht po “testohen” dhimbshëm në gjithë globin dhe në gjitha sferat e jetës sociale, politike, ekonomike, e sidomos ato civilizuese e kulturore.Aktualisht në botë është duke ndodhur një rirreshtim i madh ekonomik, social, politik e sidomos sish ushtarak, ku shqiptarët duhet ta gjejnë vetën dhe vendin e tyre. Në mënyrë, që si thuhet të “kapim” trendin. Por i gjithë ky Projekt, që do u shërbej interesave gjithëkombëtare e shtetërore, nuk mund të synohet e aq më pak të realizohet në jetën reale sociale, pa agjenda të detajizuara, e pa ekspertiza të analizuara e të studiuara mirë e më mirë. Sepse, si thuhet në politikë nuk ka miq të përhershëm, po ka vetëm interesa të përhershme! Andaj, ideja e proamerikanizmit (që dosido e ushqeu, ashtu sikurse në gjithë botën -“ëndrra amerikane”), neve shqiptarëve të Ballkanit Perëndimor, kujtoj unë, duhet të na frymëzoj dhe inspiroj jo nga rrafshi i vazhdimit të kultivimit të dëshirave tona për atë miqësinë tonë, tashmë historikisht të njohur dhe të vërtetuar si inferiore, të dëmshme dhe padyshim me mentalitet robi, dhe të prirur për nënshtrim e sundim…., por, në partneritetin e ri social e sidomos atë politik e ushtarak. Sepse, vetëm në këtë mënyrë ne kryejmë dy obligime ndajë vetës sonë kolektive: Njërin, sepse kështu fillojmë t’ia heqim vetës atë hipotekën e “gogolit për inferioritetin tonë historik”, që na u amputua padrejtësisht më pak nga të tjerët, dhe më shumë nga vetja jonë. Dhe tjetrin, sepse ka të bëjë me hisen tonë që na takon historikisht, gjeografikisht, e demografikisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Mundësia për të zbuluar efektivitetin e masave të ndalimit nga Covid-19

Jeta është e paçmuar…por një çmim e ka!

2000 propozime në tavolinën e Nishanit, Mustafajit, Rulit dhe prof. Markut

Pretendentët e PD për deputet: Javës tjetër nis seleksionim

Historia e çuditshme e kimikateve që e shkaktuan shpërthimin në Bejrut

Ngarkesa nuk duhej të mbërrinte kurrë në kryeqytetin e Libanit!

Dilemat rreth pandemisë

Sa është i sigurt udhëtimi?