Për Meryl Streep, e njohur nga të gjithë si Mbretëresha e Hollivudit, asnjëherë nuk mungojnë lëvdatat e komplimentet, por ka qenë vetëm një që i ka mbetur në mendje.
Ajo ka marrë nominime për çmime në Academy Awards më shumë se sa çdo aktor tjetër, 20 në total dhe ka fituar tre çmime Oscar dhe tetë Golden Globes.
Por për aktoren ka vetëm një kompliment që ka patur një kuptim të veçantë në jetën e saj. Është lëvdata që ajo mori fillimisht nga nëna e saj, të cilin e tregoi në Konferencën e Masaçusets për Gratë, në Boston më 7 Dhjetor.
Cila është fraza magjike?
“Ti mund t’ia dalësh!”
Duke folur me feministen Gloria Steinem, Streep shpjegoi se edhe gratë që me gjithë zemër besojnë në barazinë gjinore, shpesh bëhen pjesë e paragjykimeve sociale rreth potencialit të tyre.
“Është ajo ndjesia që përjeton, kur piloti vjen në aeroplan dhe u flet pasagjerëve dhe t’i dëgjon një zë gruaje. Ndihem e entuziazmuar, por unë mund t’a ndjej se në kabinë ka një ndryshim të vogël dhe ne të gjithë i shtrëngojmë më fort rripat tonë të sigurisë”, – tha Streep.
“Derisa të heqim dorë nga paragjykimi ynë, ai instinkti i vogël dhe i shtypur, që na vjen në mendje, nëse vetëm për një moment, se burrat në të vërtetë mund të jenë më të kualifikuar për të pilotuar një avion sesa gratë, barazia e vërtetë nuk do të jetë e mundur.”
Kjo është arsyeja përse Streep beson se është e domosdoshme t’u japësh vajzave të reja komplimentin që nëna i dha asaj.
“Nëna ime ishte një shtëpiake. Por ajo mund të kishte udhëhequr këdo e çfarëdo lloj kompanie. Ajo ishte një person me të vërtetë i jashtëzakonshëm dhe ajo kurrë nuk e kishte shansin e saj në jetë”, tha Streep.
“Por ajo më tha, Meryl, ti je e aftë dhe ti mund t’ia dalësh! “Ky është komplimenti më i madh në botë.”
Streep kishte disa këshilla të tjera të fuqishme për gratë e reja sot, duke përfshirë këtu edhe këshillën e mençur, për të cilën e duartrokitën shumë:
“Mos u shqetësoni për peshën tuaj!”
Audienca me 11,000 gra shpërtheu në duartrokitje.
“Është një humbje e madhe e kohës. Kur mendoj se sa vite kam humbur duke menduar për këtë temë, është thjesht budallallëk, “vazhdoi Streep.
“Dhe ne humbim kaq shumë njerëz gjenialë dhe idetë e tyre gjeniale, sepse ata po shohin veten në pasqyrë duke thënë, “Oh zot, jam shumë e shëndoshë”. Ju nuk jeni aspak të shëndosha, jeni thjesht perfekte.”
“Jo, këshilla ime është që të mbështesni gratë. Meshkuj mbështetni të dashurat tuaja! Ne duhet të inkurajojmë të tjerët që të kenë mirëkuptim për njerëz që nuk janë si ata. Kjo do të thotë të ndjesh atë që ndjen personi tjetër, që është një gjë që gratë bëjnë pa mundim”, tha Streep.
“Por gjëja më e vështirë në punën time është të gjej një mashkull në audiencë që ndjen atë se çfarë duhet të ndjejë personazhi im. Nëse po shoh Harrison Fordin në film, ndihem si ai, gjithashtu, si Harrison Ford.
Kjo nuk funksionon në këtë mënyrë kur një audiencë mashkullore sheh një karakter femëror, sepse burrat i shohin përvojat e grave si përvojat “më të vogla e më pak të rëndësishme”, si në filma dhe në jetën reale.
Kam shpresë se do të rritet ndërgjegjësimi për këto efekte të dëmshme të këtyre paragjykimeve. Do t’ia dalim!