Në udhëzuesin e ri të Komunës Civita, për promovimin e turizmit, zënë vend të rëndësishëm elementet e kulturës materiale dhe jomateriale arbëreshe, që u ofrohen turistëve si asete me vlera të veçanta.
Ky botim i ri informues, që drejtohet nga kryetari i komunës Alessandro Tocci, është realizuar në kuadër të projektit:
“Të kujtojme të shkuarën për një të ardhme më të mirë”. Civita që ndryshe quhet edhe “vendi i shkëmbinjve”, në udhët drejt bukurive natyrore të tij ka shumë qetësi, që imponohet edhe nga “heshtja e gurëve antikë”, ka potenciale të mëdha turistike që lidhen me historinë, vlerat artistike dhe me traditat, zakonet, ngjyrat, gatimet, mëyrën e jetesës së banorëve të tij arbëreshë.
Vitet e fundit, kjo zonë ka patur shumë vizitorë dhe në udhëzuesin e ri janë përfshirë intinerare të shumta turistike, fakte historike, kalendari i festave popullore, emërtimet e traditës fetare e deri te veçoritë e ushqimit dhe verës. Historia e komunitetit arbëresh që e popullon zonën, u “flet” vizitorëve edhe nëpërmjet arkitekturës karakteristike të shtëpive prej guri, që ruajnë një stil të spikatur mesjetar.
Shtatë nga këto banesa, njihen me emrin “Case Kodra” (shtëpitë “Kodra”), të ashtuquajtura në kujtim të artistit shqiptar Ibrahim Kodra, i cili i përfshiu në punimet e tij artistike, në disa tablo të njohura.