MENU
klinika

Skenarët

Kur votohet qeveria e re?

01.06.2020 - 07:56

Qeveria e re do të votohet në fillim të kësaj jave, sapo të publikohet aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, dekretimi i Avdullah Hotit nga presidenti është në përputhje me aktin më të lartë. Por, LDK-ja ende nuk e ka prezantuar marrëveshjen me Listën Serbe, as emrat e anëtarëve të kabinetit qeverisës. Ndërkaq, detyra kryesore që i përshkruhet kësaj qeverie është heqja e pengesave në funksion të rinisjes së dialogut me Serbinë dhe arritja e një marrëveshjeje përfundimtare. Sipas paralajmërimeve të Hotit, një nga vendimet e para do të jetë shfuqizimi i vendimeve të fundit të kryeministrit në detyrë, Kurti.

Në prag të seancës për votimin e Qeverisë së re, LDK-ja vazhdon t’i mbajë sekretë emrat e propozuar për ministri, si dhe marrëveshjen me Listën Serbe. Kryetari i këtij subjekti ka thënë të dielën se emrat do të publikohen pasi të diskutohen në mbledhjen e kryesisë, e cila do të mbahet të hënën.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një bisedë telefonike me “Kohën”, ka refuzuar të flasë për emra, vetëm ka thënë se krahas kryeministrit, kjo parti do ta ketë edhe një zëvendëskryeministër si dhe shtatë ministri. Por, numri i ministrive mund t’i zvogëlohet, nëse AKR-ja vendos t’i bashkohet qeverisë. Mustafa është shprehur i bindur se i kanë votat e domosdoshme për votimin e qeverisë Hoti.

“Ne jemi të bindur që votat janë për qeverinë. Janë mbi 61 vota që janë të sigurta, nga AAK-ja, Nisma, AKR-ja dhe subjektet parlamentare joshumicë, atë problem nuk e kemi fare. Sa i përket kabinetit, nuk kemi diskutuar për asnjë emër konkretisht dhe zyrtarisht. Nuk mund t’i diskutojmë zyrtarisht emrat nëse nuk ulemi në kryesi”, ka thënë Mustafa.

Por burime të “Kohës”, të afërta me këto zhvillime, thonë se emrat e mundshëm të kabinetit qeveritar nga radhët e LDK-së, të diskutuar deri më tani janë: Driton Selmanaj (Zëvendëskryeministër), Hykmete Bajrami (Ministre e Financave), Vlora Dumoshi, (Ministre e Kulturës), Agim Veliu (Ministër i Punëve të Brendshme), Arban Abrashi (Ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit), Armend Zemaj (Ministër i Bujqësisë), Besian Mustafa (Ministër i Integrimeve Evropiane), Anton Quni (Ministër i Mbrojtjes).

Deri më tani, vetëm AAK-ja i ka bërë publikë emrat për kabinetin Hoti. Besnik Tahiri është propozuar për postin e Zëvendëskryeministrit, Meliza Haradinaj – Ministre e Punëve të Jashtme, Selim Selimi – Ministër i Drejtësisë, Blerim Kuqi – Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Ramë Lika – Ministër i Arsimit. Ndërkaq, Nisma ka thënë se do t’i bëjë publikë emrat e ministrave, pasi të publikohet aktgjykimi i plotë i Kushtetueses.

Sa i përket marrëveshjes me Listën Serbe, sipas Mustafës, ajo nuk përmban ndonjë kërkesë specifike dhe se do të bëhet publike vetëm pasi të dakordohet me subjektin që përfaqëson komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN