MENU
klinika

Moikom Zeqo

Lasgushi, Emanuel Kanti dhe Eminescu

08.06.2020 - 06:58

Kapitulli i V-të i librit “Lazgushi i panjohur” titullohet “Idealizimi i sundimtarit të Vllahisë, heroit Niksea”. Përsëri ka një rikthim në histori. Heroi Niksea, ishte ai që në Mesjetë i siguroi Vllahisë shtrirjen territoriale më të madhe të vendit. Eminescu në poezinë e tij e idealizon. Krahas ndjenjës së shenjtë të respektit maksimal për të shkuarën rumune, Eminescu ironizon bashkëkohësit e tij të cilët nuk e çajnë kokën fare për lavdinë rumune, sepse kanë kaluar rininë e tyre studentore “në Paris, në bordellot, ku imoraliteti është sheshit”, kur u kthyen në atdhe sollën mee vete ” në vend të dijës, një kuti pomadë”, “në vend të armëve, një bastun xhiroje”, “si kompesim për gjithë pasurinë një pandofël kurtizanësh”. Degjenerimin e shoqërisë bashkëkohore Eminescu e kontraston me tekste poetike që i quan Satira, ndaj është i prirë ta ndriçojë heroin Niksea që karakterizohet nga virtyte shpirtërore dhe fizike. Niksea është ndeshur më Sulltanin e fuqishëm Bajaziti i Parë duke triumfuar. Beteja historike e shekullit XIV është bërë në Krajovë të Vllahisë në një zonë moçalore. Në tekstin poetik të Eminescu-t Bajaziti i Parë shikon në gjumë ëndrrën e themelimit të Perandorisë Osmane. Por kjo nuk përputhet me historinë. Dihet që emri i Perandorisë Osmane lidhet me emrin e Osmanit (1288- 1386). Këto mospërputhje midis historisë reale dhe historisë së poetizuar nuk e shqetëson Eminescu-n. Lasgushi duke hulumtuar arrin të gjejë se legjenda e ëndrrës tek Eminescu nuk është gjë tjetër veçse riprodhimi prej gjermanit Josef von Hammer, i cili është edhe themeluesi i disiplinës së studimeve orientale .

Hammer tregon një gojëdhënë turke që si një ditë luftëtari Osman shkon për vizitë tek Edebali, një sheik i ditur. Në mbrëmje ai pa të bijën e Edebali, Malhatunën e bukur. Ra menjëherë në dashuri me të, por Edebali nuk ia përmbushi atij dëshirën për dorën e saj. Ndërkohë i tha se ai duhet të ishte bindës në interpretimin e një ëndre në favor të Osmanit. Dhe Osmani e pa këtë ëndërr. I shtrirë për të fjetur, në sytë e mbyllur i vezullohej që nga bota e përtejme kjo ëndërr domethënëse. Ëndrra e tregonte Osmanin por edhe sheikun që ishin që të dy të shtrirë, jo shumë larg njëri – tjetrit. Befas nga kraharori i Edebalit doli Hëna. Kjo Hënë u ngrit sipër, ndenji pezull ca kohë, pastaj Hëna u vetua dhe u fsheh në gjoksin e Osmanit. Që nga ky çast nga kopshtet e tij mbiu një pemë që rritej me vrull të papërmbajtur. Pema hapi degët e saj duke e shtrirë hijen mbi toka dhe dete. Kjo hije mbuloi Kaukazin dhe Atlasin, Taurusin dhe Hemusin, prej andej rrodhën Tigri dhe Eufrati, Nili dhe Isteri. Befas fryu një erë gadhënjimëtare. Ajo i përkuli majat dhe gjethet në drejtim të qytetit të Perandorit Konstandin. Osmani u zgjua nga gjumi, interpretimi i ëndrës qe sundimi i botës prej rracës së lindur prej gjakut të Edebalit dhe Osmanit, që do të realizohej me anë të martesës së Osmanit me Malhatunën e bukur, të personifikuar nga vetë Hëna e plotë.

Lasgushi është i qartë se duke e krahasuar gojëdhënën e Hammer-it me përpunimin e vargjeve të Eminescu-t konstaton se “pothuajse nuk përmban asnjë ndryshim përveçse ndryshimeve të vogla stilistikore, që kanë si qëllim përshkrimin e tablove të paraqitura në origjinal dhe përshtatjen e tyre me fantazinë e poetit”.

Lasgushi është i informuar për situatat krahasimtare ndaj në këtë pikë është një kritik i saktë.

Kjo tregon njohuri të thella në dy rrafshe: të kulturës gjermane dhe të kulturës rumune.

***

Lasgushi e njeh me detaje dhe një variant të një përralle popullore të përpunuar prej Eminescu-t ku ka edhe shmangie edhe ndryshime. Kjo përrallë flet me humor për një ceremoni të dasmës së njerëzve që ka edhe një paralele të dasmës së insekteve, që Eminescu ia bashkangjit dasmës së parë. Edhe një tjetër poezi lirike e Eminescu-t bazohet në imagjinatën folklorike. Në këtë lirikë janë kafshët dhe pemët plot humor që zhvillojnë biseda në lidhje me dashurinë midis njerëzve. Një tjetër poemë romantike e Eminescu-t, sipas studiuesit Lasgush bazohet tek idea e vëllait të vdekur që në rumanisht “shtrigoii”. Ky personazh në besëtytnitë e popullit rumun çohet natën nga varri. Mund të shëndrrohet në ujk, qen etj.

Lasgushi ngulmon se një tjetër poezi e Eminescu-t reflekton tekstin “historia e mrekullueshme e dashurisë së Magelonës së bukur dhe Kontit Petër nga Provanca” të poetit gjerman Ludvig Tievcku.

Gjithashtu Eminescu e njihte edhe motivin e baladës “Leonora” e Byrgerit.

Një nga baladat më të famshme europiane.

Vetë Eminescu kishte përkthyer strofën e parë të kësaj balade dhe kjo gjendet tek dorëshkrimet e tij të pabotuara.

Kapitulli i VI-të “Arratisja në të kaluarën e atdheut: Sarmanul Dionis”. Është një nga kapitujt më të rëndësishëm të studimit lasgushian. Lasgushi ndalet këtu tek koncepti që ka Eminescu kundër dekadencën së erotizmit bashkëkohor, të atij erotizmi, që “kënaq instikte”, që “dy herë në vitë kap edhe shpendët”. Si kundërvënie Eminescu ngre lart një dashuri romantike ideale “që mund të ndodhë vetëm në të kaluarën rumune, të cilën ai e koncepton vetëm në fantazinë e tij”. Sërish Lasgushi i referohet historisë.

Ai ka lexuar shkrimet plot apoteoza të Eminescu-t që e përmend Sundimtarin Aleksandri i I-rë, i cili konsiderohet në shekullin e XV si një qeveritar i madh. Eminescu me një romantizëm sa lirik aq edhe epik i drejtohet kësaj epoke, për t’ia kundërvënë bashkëkohësisë.

Në këtë pikë Lasgushi thekson formimin filozofik të Eminescu-t, që e njeh nga studimet universitare kritikën e Kantin për arsyen e kulluar.

Këtë kryevepër të Kantit, Eminescu nisi ta përkthente në vitet e para të përkthimeve në Vjenë. Atë ai e quante “Bibla e Filozofëve”.

Kanti së bashku me Shopenhaurin ishin dy filozofët botëkuptimformues.

Lasgushi ka lexuar artikuj filozofikë të Eminescu-t disa edhe të pabotuar. Dhe ja shënimi në rrafshin filozofik që bën Lasgushi për mendimet e Eminescu-t për Kantin: “Eminescu, duke u bazuar shumë nga vëretjet e tij filozofik mbi teorinë bazë të Kantit, si dhe lidhur me shqisat, thonë se e gjithë dija jonë ka karakter “a priori” d.m.th që rrjedh nga “konceptet e arsyes së kulluar”: “Në se ne duam të diskutojmë karakterin a priori të hapësirës” – shkruan Eminescu – “kemi gjithmonë mundësinë t’i referohemi argumentit të Kantit nga estetika transcedentale e arsyes së kulluar – “.

Kur Kanti merr në diskutim formën e hapësirës dhe e lidhe këtë me apriorizmin, ai fillon me argumentimin e mëposhtëm: hapësira ekziston apriori. Ajo është një formë subjektive, të cilën ne e nxjerrim nga sendet; meqenëse hapësira është një kusht ekzistence për dukuritë, ajo i paraprin pra çdo dukurie. Nuk do të kishte qenë e mundur të flitej për dukuri bashkëegzistuese pa këtë formë kushtëzuese të hapësirës”.

Mund të thuhet me plot gojën se Lasgushi studius është edhe Lasgush filozof “pa e tepruar në këtë përcaktim”.

Sërish Lasgushi arsyeton për Eminescu-n i cili e mbyll diskutimin e konceptit të hapësirës “duke nxjerrë prej tij përfundimin e idealizmit”.

Eminescu edhe përcaktimin e konceptit të kohës e sheh gjithashtu si një formë subjektive të përceptimit të sendeve dhe “duke provuar apriorinë e saj Eminescu gjithmonë i referohet argumenteve të Kantit”.

Ja pse Eminescu e thekson çështjen pse ne “nuk do të kishim mundur të përceptonim një sekuence dukurish, nëse nuk do të kishim formën a priori të kohës”, e cila është “thjesht një formë e ndërgjegjies time”. Por këto Lasgushi në mënyrë të qartë i quan “spekulime teorike të Eminescu-t” ndonëse këto spekulime kaplojnë dhe zotësojnë narrativën e madhe filozofiko-fantastike “Sarmanul Dionis”, që kanë në mënyrë bazore konstatimin se “koha dhe hapësira nuk ekzistojnë”, si pasojë nuk mund të flitet as për të shkuarën dhe as për të ardhmen por mund të jetohet njëkohësisht në çdo shekull.

Në këtë optikë Lasgushi e zbërthen Eminescu-n. Dionisi i Varfër ka fatkeqësinë të jetojë në të tashmen por ai mendon, ka fantazi. Ky Dionis zhytet në metafizikë. Rezultantja e përllogaritjeve të tij mendore flet se në të vërtetë bota është vetëm një ëndërr në shpirtin tonë. Nuk ka as kohë dhe as hapësirë. Ato janë vetëm në shpirtin tonë. Po kështu edhe pafundësia.

Në të vërtetë nuk ka asnjë të shkuar. Vijueshmëria e kohërave ekziston vetëm, në mendim. Edhe nëse mund të zhytemi në pafundësinë e shpirtit do të arrijme vetm në një shkallë të rrezatimeve të tij.

Modeli Getë-ian i Faustit është një matricë organizuese, pa mohuar origjinalitetin Eminescu-ian. Dëshirën e tij Dionisi i Varfër, e përmbush me anë të një libri të vjedhur, një dorëshkrimi zodiakal.

Ashtu si Fausti që i drejtohet magjisë për të krijuar lidhje me shprirtrat e natyrës, me anë të librit alkimit të Nostradamit që përmban shenja të ndryshme enigmatike, pa harruar dhe pamjen e shenjës së Shpirtit të Tokës (ky i fundit mund ta bëjë atë të lirë dhe të pavarur), po ashtu edhe heroi supersticioz i Eminescu-t kërkon të lirohet nga e tashmja dhe të realizojë dëshirën e tij të zjarrtë për kohën e vjetër.

Dionisi i Varfër shfleton fletët e librit. Papritur ai shikon një shenjë enigmatike, dhe astrologjike, vijat e së cilës “filluan të lëviznin, lëviznin në mënyrë të frikshme”, Dionisi arrin me ngazëllim, ai dëgjon një zë: “Ku duhet të ndaloj?” përgjigjia e kësaj pyetje Dionisit i del nga gjoksi, që i gufon nga gëzimi: “te Aleksandri i Mirë!”. Dionisi iVarfër e ndjen se shpirti i shtegon nga shekulli në shekull. I njëjti shpirt.

Koha e pafundmë dhe hapësira e pafundmë janë të njësuara. “Rrëfimi arrin kulmin me dukurinë transcedentale-historike, të përjetuar realisht. Ka vetëm një ide eterne: Të jetojë në epokën e Aleksandrit të Mirë.

Ai që na intereson në këtë shtjellim është fakti se çfarë mëndon vetë Lasgushi.

Lasgushi jo vetëm i njeh idetë filozofike të Eminescu-t por njeh edhe disa dorëshkrime shumë pak të njohura të tij, të cilat i ilustron me vëretjet e përgjithshme të Kantit mbi estetikën transcedentale, në lidhje me përbërjen subjektive të njohjes shqisore.

Dhe ja citati i Kantit i thënë prej Lasgushit “nëse fshijmë subjektin tonë, ose vetëm përbërjen subjektive të shqisave mun të zhdukej gjithë përbërja, të gjitha raportet të objekteve në hapësirë dhe kohë. Bile edhe vetë hapësira dhe koha, nuk mund të ekzistonin si dukuri në vetëvete per vetë, si dukuri brenda nesh”. Kështu kritiku letrar Lasgushi është njëkohësisht edhe mendimtari filozof.

Akoma më tej Lasgushi jep si shembull romanin në gjermanisht të shkrimtarit Thoma Noul. Titulli i romanit është “Thomas Nebel”. Ky epitet do të thotë “Gjeni i egër”. Është fjala për një personazh që ka fatin e keq të jetojë në një shoqëri që është e papranueshme për të, i cili “ka vetëm një dëshirë, të jetojë në të shkuarën”.

Vetëm e shkuara është periudha magjika e përceptuar në tërësi. Për ta bërë më përmbledhës argumentin Lasgushi trajton edhe romanin e Eminescu-t “Geniu Kustiu”, të botuar për herë të parë pas vdekjes së Eminescu-t në 1904 nga I. Scurtu në bazë të dorëshkrimeve origjinale. Por pse kjo arratisje në të shkuarën? Ç’është kjo monofili e papërballueshmë dhe arkaizuese? A ka kuptim një tendencë e tillë? Si mund të shpjegohet?

Lasgushi mundohet dhe mënton t’i përgjigjet këtyre enigmave që janë përherë pyetësore, dyshuese por edhe ambiguide. Lasgushi mendon se kjo është një formë “për të ringjallur një histori të re”.

Kjo gjë përputhet dhe kja një prirje të njëjtë me frymën e lëvizjes letrare liridashëse “Jungen Deutschland” dhe pikërisht: më shndërrimin e letërsisë në një armë në luftën për ngritjen e popullit nga gjendja aktuale, merret G. Bogdan – Duica, pa u shprehur megjithatë në mënyrë të prerë mbi të vërtetësinë e hamendësimkit në të mirë favor të Gutzkoë-it në “rastin e një imitimi (të romanit të Karl Gutzkoë-it “kalorësit e Shpirtit”, ose të një nxitjeje nga kampi i “Jugen Deutschland” as edhe në rastin e përshtypjeve të drejtpërdrejta të marra mbas vitit 1848 (ndërsa në rumani ishin përhapur lëvizjet revolucionare).

Përfundimi i Doktoraturës është shkruar me pak faqe, por të ngjeshura dhe mund të reflektojme në dy pikëpamje.

Të flasim se çfarë pikëpamje ka vetë Lasgushi për subjektin e tij studimor. Dhe gjithashtu të themi pikëpamjen tonë për vetë studimin e Eminescu-t nga Lasgushi.

Studimi lasgushian siç e kam thënë disa herë është krahasimtar në disa rrafshe: në rrafshin historik, në rrafshin filozofik dhe kulturologjik si dhe në rrafshin linguistik dhe poetik. Këto rrafshe kanë një ndërthurje kaleodioskopike.

Si studiues Lasgushi jo thjesht se fiton një Doktoraturë në një nga universitetet më të famshme të Europës, por si një intelektual shqiptar i shquar arrin të sendertojë dhe shpalosë me një erudicion të lavdërueshëm, përceptimin e një figure fundamentale të kulturës rumune, por në kontekstin e disa kulturave të mëdha europiane siç është kultura gjermane, dhe ajo franceze.

Pra kemi të bëjmë me një subjekt prizmatik ku shumë pasqyra rrotullohen dhe shumë drita kryqëzohen për të bërë paraqitje dhe kulminacione të njohjes.

Doktoratura ne gjermanisht e Lasgushit niste nga një komponente e vetëkuptueshme të kulturës gjermane. Në këtë pikë njohuritë e Lasgushit, parë edhe nga gjendja e sotme e studimeve paraqitet disa herë befasuese.

Por asnjë studiues që e ka gjermanishten gjuhën e tij native mund të mos arrinte rezultatet e Lasgushit. Lasgushi kishte një njohje të pabesueshme të gjuhës rumune dhe së bashku me gjuhën shqipe ai mund të quhej përfaqësuesi i një trilinguizmi. Një gjë e rrallë kjo.

Në këtë hulli Lasgushi mund të krahasohet vetëm me poliglotin Faik Konica, si dhe me Fan Nolin.

Me askënd tjetër në letërsinë dhe kulturën shqiptare.

***

Lasgushi kërkon të zbërthejë kuptimin historik të një poeti kombëtar rumun siç është Eminescu. Përsëri ai vihet në rolin e një hulumtuesi të ngjarjeve historike. Ai kërkon ti përgjigjet pyetjes: Pse nga numri i madh i Sundimtarëve dhe Princëve rumune Eminescu zgjodhi për të nderuar në poetikën e vet tri figura: Aleksandrin e Mirë, Niksean e Vjetër dhe Stefanin e Madh? Eminescu nuk e bën dallimin midis karakterit fizik dhe legjendar të tyre. Por historia, sipas Lasgushit mund të shpjegojë idetë politike të një poeti. Eminescu mbështetet në konceptin etatist të atdheut rumun si një formulë të ruajtjes, të mosshpërbërjes dhe të zhvillimit të kombit. Lasgushi ngul këmbë “për një rreptësi të sistematikës shkencore të domosdoshme për një hulumtim objektiv”, për të krijuar kështu një sintezë më të besueshme. Lasgushi konkludon me të drejtë se bindjet politikë të Eminescu-t ishin “bindje konservatore”.

Dhe ato janë të tilla, shton Lasgushi se si premisë më parësore të gjitha nocioneve për shtetin Eminescu cakton domosdoshmërine e stabilitetit në një shtet të konceptuar për harmonizimin e interesave të shoqërisë, si një institucion shoqëror – sintetik, përkundrejt lëvizshmërisë së individëve të veçantë në turmën e paorganizuar.

Kështë me vetëkuptimshmëri logjike prej këtej lind parime i monarkizmit juridik, d.m.th i dinastisë së trashegueshme, rrjedhimisht hidhen posht të gjitha idetë liberale: strukturat zgjedhore, republikanizmi dhe kështu me radhë.

Dogma e stabilitetit të siguruar e ka shtyrë Eminescu-n të apoligjizojë epokat e tri figurave historike të mësipërme. Eminescu mendon në mënyrë naive se përqarja është gati apokaliptike. Përqarja krahasohet me luzmën e papërmbajtur të shkatërrimit të kosherëve të bletëve. Kjo dogmë e idealizuar e së shkuarës e bën Eminescu-n të rikthehet tek institucionet tradicionale, nëpërmjet një forme qeverisjeje monarkike “pak a shumë absolute”.

Dhe Lasgushi saktëson se Eminescu “nuk ndruhet të flasë për të mirat e absolutizmit, ndoëse nuk duhet të ngatërohet më despotizmin”.

Këtij konkluzioni, që në thelb është një konkluzion tërsisht politik, Lasgushi i kushton vëmendje në mbylljen e tërë studimit të ti shumëplanesh.

Duket sikur kjo mbyllje lë magut shumë gjëra.

Por rezultatet studimore të Lasgushit gjithashtu ngjajnë të padiskutueshme dhe të pa rrëzueshme dot.

Jo më kot, i kam lënë një hapësirë të tillë paraqitjes së tezave, ideve dhe të hulumtimeve të Lasgushit për Eminescu-n. Për mendimin tim studimi i Lasgushit, duke qënë i mirëfilltë shkencor, arrin deri tek forma e një modeli.

Dhe të mendosh që këtë gjë Lasgushi e bëri për poetin më të madh kombëtar të rumunëve.

(Nga libri studimor “Lasgushi i panjohur” i Moikom Zeqos i Shtepise Botuese “Erik”, 2017)